Korreshi: Nuk hyhet në Europë me b***ë të grisura!
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, dhe përfaqësuesi i mazhorancës, Toni Gogu, janë përplasur ashpër gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit të Ligjeve, ku po diskutohej për programet e financimit.
Debati nisi me tone ironike nga deputeti Korreshi, i cili vuri në pikëpyetje përfitimet reale të programeve të ashtuquajtura të “ekonomisë së gjelbër” për zonat rurale.
Korreshi:
“Që të mos vonoj Ulsin se do flejë. Keni parë ndonjë fshatar me panel diellor? Se s’kemi takat ne. Më gjeni një katundar, një hallexhi që paska marrë ekonomi të gjelbër. Gjeni një.”
Në reagim, Toni Gogu e cilësoi qëndrimin e Korreshit si ironik dhe parodik, duke theksuar se programet e financimit janë pjesë e një procesi afatgjatë transformimi.
Gogu:
“E kuptoj parodizmin dhe ironizimin që i bëni situatës. Ju e nisët seriozisht me ish-kryetarin e partisë suaj, që e trajtonit me seriozitet integrimin në BE. Situata është bërë tragjiko-komike për ju, s’ka ilaç, e keni marrë më gallatë. Të bëhesh pjesë e programit më të madh zhvillimor, mendoj se është sukses. Ne votohemi për të bërë politikë, kështu dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak. 38 përfituesit shqiptarë janë lajmi më i mirë për ne, sepse ata kanë konkurruar dhe kanë fituar. Kemi filluar një udhëtim që po rrisim kapacitetet. Kjo nuk do të thotë që papritur gjëja është bërë parajsë. Ka filluar një transformim. Vetëm me të qeshura mund të jetohet, se s’keni ç’bëni tjetër ju. Këta ishin eurofilë dhe tani janë kthyer në euroskeptikë.”
Në këtë moment, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ndërhyri në debat, duke iu drejtuar Korreshit me një pyetje të drejtpërdrejtë.
Manja – Korreshit:
“Je eurofil apo euroskeptik?”
Korreshi u përgjigj duke e zhvendosur debatin te problematikat konkrete në terren, duke sjellë shembuj nga zona e tij elektorale.
Korreshi:
“Nuk e di Toni që Lushnja ishte pa drita katër orë mbrëmë. Mori plaka dhe më tha që s’kishte drita. Dëgjo Toni, dëgjo! Më tha plaka: s’punon as pompa të mbushnim ujë, se jemi katër orë pa drita. Po ça Europe?! Ke kanalet pa pastruar në Myzeqe. Me ça do hysh në Europë? Me çizme me baltë? Ky euroskeptiku ka mbaruar para 25 viteve në Romë. Këto letrat, ju bëjini, këndojini, bëjini çfarë të doni. S’po na çoni ju në Europë.
Nuk hyhet në Europë me br**ë të grisura, duhen arnuar njëherë pastaj të hyjmë, se nuk na çasin.”
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



