Kosova voton sot për zgjedhet e parakohshme parlamentare
Rreth dy milionë qytetarë të Kosovës do t’u drejtohen këtë të diel kutive të votimit për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Procesi zgjedhor u shpall pas dështimit të legjislaturës së dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit për të miratuar dy qeveritë e propozuara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se të gjitha materialet zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, janë shpërndarë në kohë në 38 komunat e vendit, duke garantuar mbarëvajtjen e procesit.
Sipas të dhënave zyrtare, që prej orës 07:00 të mëngjesit, plot 1 milion e 999 mijë e 24 shtetas me të drejtë vote kanë mundësinë të votojnë për zgjedhjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se në gjithë territorin e vendit do të hapen 948 qendra votimi. Prej tyre, 910 qendra do të shërbejnë për votimin e rregullt me gjithsej 2,557 vendvotime, ndërsa 38 qendra të tjera me 57 vendvotime do të jenë në dispozicion për votimin me kusht.
Në këtë proces zgjedhor marrin pjesë 24 subjekte politike, të cilat garojnë me 1,180 kandidatë për deputetë. Tetë prej këtyre subjekteve janë parti shqiptare me gjithsej 624 kandidatë që synojnë 100 ulëset e Kuvendit, ndërsa pjesa tjetër përfaqëson komunitetet joshumicë, të cilat konkurrojnë për 20 vendet e garantuara.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



