KPK konfirmon në detyrë gjyqtarin Dhimitri
Konfirmohet ne detyre gjyqtarit të Apelit të Gjirokastrës, Enton Dhimitri. Vendimi eshte dhene sot, duke i hapur rruge te vijoje detyren pasi kaloi ne testin e Vetingut.
Enton Dhimitri
Edhe pse KPK nuk konstatoi probleme në pasurinë dhe aftësitë profesionale, problem për gjyqtarin mbetet dënimi me burg i kunatit të tij në Greqi. Seanca ndaj gjyqtarit nisi dje në orën 11:30, ndërsa hetimi administrativ për të u zhvillua për të tria kriteret.
Në një kohë që Dhimitri nuk kishte probleme në dy kritere, në aspektin e pastërtisë së figurës, nga hetimi administrativ i thelluar rezulton se nuk është treguar i sinqertë, pasi nuk ka deklaruar rekordet kriminale të kunatit të tij. Nga ana tjetër, vetë gjyqtari është shprehur se nuk ka pasur dijeni në lidhje me këtë. Trupi gjykues, i cili ka kryer hetimet për gjyqtarin, përbëhej nga Xhensila Pine, Genta Tafa Bungo dhe Pamela Qirko, ndërsa seanca dëgjimore për Dhimitrin nuk zgjati shumë dhe u shty për ditën e sotme, kur pritet të jepet edhe vendimi përfundimtar për karrierën e tij.
FIGURA
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, kishte dorëzuar një raport, ku e konsideronte të përshtatshëm gjyqtarin Dhimitri për vazhdimin e detyrës. “Në lidhje me kriterin e pastërtisë së figurës, DSIK ka dorëzuar një raport, ku konsideron të përshtatshëm për vazhdimin e detyrës, për subjektin e rivlerësimit, gjyqtarin Enton Dhimitri”, lexoi relatorja e çështjes.
Kjo e fundit, shtoi se në lidhje me këtë kriter, në zyrat e KPK-së, është bërë një denoncim se kunati i gjyqtarit është i dënuar në Greqi, me 20 vite burg, për trafikim të lëndëve narkotike, konkretisht kokainë. Relatorja tha se Komisioni kishte hetuar në këtë drejtim dhe ka konstatuar se denoncimi ishte i vërtetë dhe se kunati i gjyqtarit, me inicialet L.G., është arrestuar në vitin 2016. Komisioni ka kërkuar sqarim në lidhje me marrëdhënien me kunatin, edhe pse gjyqtari nuk e ka deklaruar përfshirjen e kunatit në krimin e organizuar, pasi, sipas ligjit, ai duhet të deklarojë, nëse ka pasur kontakte me persona që kanë lidhje me krimin e organizuar.
Ndërkohë, vetë gjyqtari, në momentin që mori fjalën, e mohoi se kishte pasur afrimitet me kunatin dhe se nuk ka pasur asnjë informacion në lidhje me rekordet kriminale që kishte ai. “Kunati im jeton në Greqi dhe unë nuk kam marrëdhënie të mira me të, si dhe nuk e di në lidhje me dënimin që ka marrë në shtetin grek”, tha gjyqtari Enton Dhimitri, ndërsa në fund kërkoi konfirmimin në detyrë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



