Kreu i BKH, dy kandidatë para makinës së të vërtetës
Dy nga kandidatët për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit iu nënshtruan dje testit poligrafik, ose i njohur si testi i së vërtetës.
Kandidatët Lindita Nushi dhe Gentian Shehaj, për rreth dy orë u janë përgjigjur pyetjeve përballë makinës së të vërtetës, ndërsa në ditët në vazhdim, deri të premten do të kalojnë testin edhe 6 pretendentët e tjerë.
Pas përmbylljes së kësaj faze do të kryhet verifikimi i figurës e pasurisë dhe intervistimi përfundimtar. Në fillim të garës shprehën interes 40 aplikantë për të marrë drejtimin e njësisë më të rëndësishme hetimore që po krijohet si rezultat i Reformës në Drejtësi, por numri u përgjysmua pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore, nga një komision me tre prokurorë të Strukturës së Posaçme Antiko-rrupsion(SPAK).
Pas testeve fizike, numri i kandidatëve shkoi në 8 dhe 7 prej tyre janë nga radhët e Policisë së Shtetit me karrierë të gjatë dhe një prej tyre prokuror. Pas përzgjedhjes së kreut, do të vazhdohet me rekrutimin e hetuesve të kësaj njësie, të cilët pritet të trajnohen nga akademia e FBI-së në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
KANDIDATËT
Zëvendësdrejtuesja e Policisë së Shtetit, Aida Veizaj, është një prej kandidatëve që ka kaluar me sukses fazat e para. Veizaj më herët ka qenë drejtuese e Kufirit dhe Migracionit, drejtuese e Drejtorisë për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe jo vetëm. Ardian Çipa është kandidati tjetër që pret të kalojë në makinën e së vërtetës. Çipa ka qenë drejtues në Drejtorinë e Përgjithshme për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ndërsa aktualisht është në Sektorin për Mbrojtjen e Dëshmitarëve. Gentjan Shehaj është një tjetër kandidat nga radhët e Policisë.
Shehaj ka drejtuar Policinë e Vlorës, ndërsa në mars të 2019-ës është larguar për të marrë një detyrë në Akademinë e Sigurisë. Lindita Nushi, gruaja e dytë në listën për drejtimin e BKHsë, vjen gjithashtu nga radhët e Policisë. Nushi ka drejtuar Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës. Idajet Faskaj, gjithashtu pjesë e Policisë, ka qenë drejtues i Departamentit të Krimit të Organizuar. I vetmi që vjen nga radhët e Prokurorisë është Ylli Pjetërnikaj. Ky i fundit ka nisur detyrën në Prokurorinë e Kukësit, ndërsa aktualisht është në Prokurorinë e kryeqytetit.
KRITERET
Kandidatët e pranuar janë diplomuar për Drejtësi ose kanë arsim të lartë policor. Kanë pasur të paktën 5 vite eksperiencë pune si prokurorë ose punonjës Policie, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, të 18 kandidatët kanë firmosur deklaratë për dhënien e pëlqimit të tij dhe familjarëve të tij, që heqin dorë nga privatësia. Në kushtet kur kërkojnë të jenë pjesë e BKH-së, ata duhet të jenë dakord me kontrollin e llogarive dhe telekomunikimeve vetjake.
KANDIDATËT
1. Aida Veizaj
2. Ardian Çipa
3. Artur Beu
4. Ervin Hodaj
5. Gentjan Shehaj
6. Lindita Nushi
7. Idajet Faskaj
8. Ylli Pjetërnikaj
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



