Cristiano Ronaldo po mendon seriozisht për t’i dhënë fund një karriere 25-vjeçare në futboll. Portugezi nuk ka njoftuar zyrtarisht tërheqjen, por deklarata e tij e fundit ka lënë të kuptohet se fundi mund të jetë më pranë se sa pritej.
“Ka mundësi që ky të jetë viti im i fundit si futbollist dhe dua të lë një trashëgimi spektakolare”, deklaroi Ronaldo në një intervistë për “Vogue”.
41-vjeçari ka nisur të mendojë edhe për jetën pas futbollit. Ai tha se dëshiron t’i kushtojë më shumë kohë udhëtimeve, argëtimit dhe padelit, një sport që e ka për zemër.
Ronaldo foli edhe për sakrificat e shumta që ka bërë gjatë karrierës së tij.
“Kam kaluar 25 vjet me shumë sakrifica”, u shpreh ylli portugez, duke shtuar se pas tërheqjes dëshiron të shijojë më shumë frytet e një karriere të jashtëzakonshme.
Megjithatë, para se të mbyllë përfundimisht kapitullin e futbollit, Ronaldo ka ende një objektiv të madh për të realizuar: 1,000 gola në karrierë.
Sipas të dhënave të publikuara, portugezi numëron aktualisht 976 gola, çka do të thotë se i duhen edhe 24 gola për të arritur shifrën historike.