Amarildo Stoica
Sektori bujqësor në Shqipëri po përballet me një krizë të thellë, që reflektohet jo vetëm në braktisjen e tokave dhe rënien e numrit të kafshëve, por edhe në rritjen dramatike të çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Çmimet në treg kanë kapur nivele alarmante, duke rënduar ndjeshëm koston e jetesës për familjet shqiptare, ndërsa oferta e kufizuar nga prodhimi vendas zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga importe me cilësi të dyshimtë dhe çmime të larta.
Sipas të dhënave të INSTAT, rritja më e madhe e çmimeve është regjistruar pikërisht tek produktet e bulmetit dhe mishi, që përfaqësojnë kategoritë më të prekura nga mungesa e prodhimit vendas. Për vitin 2024, mishi i viçit u rrit me 95.4 lekë për kilogram, ndërsa djathi dhe gjalpi pësuan rritje respektivisht me 54 dhe 44 lekë për kilogram. Ndërkohë, produktet e pijeve si vera dhe birra, po ashtu, kanë ndjekur të njëjtën prirje rritëse. Në kontrast, vetëm disa fruta dhe zarzavate, si portokallet dhe qepët, kanë treguar një ulje të çmimeve.
Zyrtarët qeveritarë përpiqen të justifikojnë këtë rritje të çmimeve duke e lidhur me turizmin, por faktet flasin ndryshe. Mungesa e mbështetjes për fermerët dhe politikat dekurajuese kanë çuar në një pakësim të prodhimit vendas, ndërsa subvencionet e pamjaftueshme dhe favorizimi i produkteve të importuara kanë goditur rëndë sektorin. Importet e ushqimeve janë rritur me ritme dyshifrore në tre vitet e fundit, duke sjellë produkte të dyshimta në cilësi dhe me çmime shumë të larta për konsumatorin shqiptar.
Ndërsa fermerët kanë protestuar vazhdimisht për shkak të çmimeve të ulëta të grumbullimit dhe mungesës së politikave mbështetëse, qeveria ka zgjedhur të mbyllë veshët dhe të injorojë këtë krizë që po gërryen ekonominë rurale dhe po ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve. Një treg i dominuar nga importe të shtrenjta dhe një bujqësi e braktisur nuk është vetëm një problem ekonomik, por edhe një rrezik për sigurinë ushqimore të vendit.
Pagat dhe pensionet nuk ndjekin këtë ritëm rritjeje të çmimeve, duke lënë kategoritë më të prekura të popullsisë në një situatë të paqëndrueshme ekonomike. Ndërkohë, ndërhyrjet në uljen e kostove të jetesës mbeten të pamjaftueshme dhe të vonuara.
Në vend që të përmirësojë mbështetjen për fermerët dhe të nxisë prodhimin vendas, qeveria ka zgjedhur të shërbejë si spektator në një krizë që po përshkallëzohet çdo ditë. Nëse kjo prirje vazhdon, Shqipëria rrezikon të humbasë identitetin e saj bujqësor dhe të bëhet tërësisht e varur nga importet e ushqimeve, me pasoja të rënda për ekonominë dhe shoqërinë.
Është koha për veprim të menjëhershëm. Kriza në bujqësi nuk është thjesht një çështje për fermerët, por një kërcënim i drejtpërdrejtë për të gjithë shqiptarët. Nëse politika nuk ndryshon drejtimin, do të jetë e vështirë të përballojmë pasojat e kësaj neglizhence, që dita-ditës po thellohet më shumë.