Krizë për banesa, mijëra familje në kërkim të strehës. Banorët: Nuk ka, janë të shkatërruara
Mijëra banorë të ngelur të pastrehë pas tërmetit, po hasin vështirësi për të siguruar banesa me qira. Paralajmërimi se do t’i nxjerrin nga hotelet ku qëndrojnë të akomoduar, ka sjellë dyndje qytetarësh në kërkim të banesave me qira. Shumë prej tyre i druhen frikës se do të ngelin ne qiell të hapur pasi t’i nxjerrin nga hotelet. Françesk Krosi nga Thumana, prej dy javësh, udhëton çdo ditë nga Shëngjini drejt Krujës në kërkim të një banese me qira, por ende nuk ka mundur ta gjejë. Pas tërmetit të 26 nëntorit, 28-vjeçari është vendosur së bashku me familjen në një hotel në Shëngjin, pasi pallati ku banonin në Thumanë është shembur nga tërmeti i 26 nëntorit.
“Na kanë strehuar në Shëngjin, pasi pallati është shpallur i pabanueshëm. Kam aplikuar për bonus qiraje pranë bashkisë dhe na kanë thënë të dalim të kërkojnë për banesë vetë. Prej dy javësh shkoj çdo ditë nga Shëngjini në Krujë, duke kërkuar për banese me qira. S’kam lënë vend pa parë, por ende nuk kam mundur të gjej. Në zonën e Krujës nuk gjen shtëpi, sepse gjysma e pallateve janë shkatërruar nga tërmeti. Nuk e di se çfarë do bëj. Unë s’kam as të ardhura të lëviz çdo ditë, sepse 7 mijë lekë i do vetëm rruga me furgon Shëngjin-Laç. E vetmja e ardhur për familjen time është një pagesë invaliditeti 10 mijë lekë të rinj që merr babai, i cili është i sëmurë”, thotë ai.
RRITJA E ÇMIMEVE
Në të njëjtën situatë është edhe Jani Duka. Prej ditësh, ai rendet në kërkim të një banese me qira, por ende nuk ka mundur ta sigurojë. “Jam vendosur këtu në Shëngjin që pas tërmetit të 26 nëntorit. Kam aplikuar për bonus, pasi shtëpia më është shkatërruar. Na kanë thënë të gjejmë banesë me qira dhe prej ditësh po kërkoj. Brenda qytetit s’kam gjetur askund, vetëm në fshatin Sanxhak të Kurbinit gjeta një shtëpi, por çmimi është shumë i shtrenjtë. Një banese 1+1 e gjeta 150 mijë lekë. Nuk kam mundësi ta marr, pasi shteti na ofron vetëm 90 mijë lekë të vjetër. S’kam me se ta paguaj dhe po kërkoj për të gjetur në një vend tjetër më lirë”, thotë Duka.
“Ka 1 javë që po kërkoj për shtëpi, por nuk mund të gjejmë. Në Laç nuk ka banesa me qira, pasi janë dëmtuar të gjitha nga tërmeti. Shumë shpejt na kanë thënë se do dalim dhe nga hoteli ku jemi të akomoduar. Rrezikojmë të ngelim jashtë së bashku me 5 pjesëtarët e familjes. Se çfarë do të bëhet me ne, nuk e di”, shprehet një tjetër banor i Laçit. Banorët e ngelur të pastrehë kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për t’iu siguruar banesa me qira, pasi vetë e kanë të pamundur t’i gjejnë.
“Të ndërhyjë shteti për të na siguruar banesa. Nuk duam para në dorë, t’i paguajë shteti vetë banesat dhe të na strehojë, pasi nëse nuk do ndërhyjnë, ne do ngelim jashtë. S’kam lënë vend pa kërkuar dhe s’kam mundur të gjej askund në Laç shtëpi me qira”, thotë Dava Gjergji, banore e Thumanës.
AGJENCITË
Agjencitë imobiliare pohojnë se qiraja në atë zonë është rritur me rreth 30 për qind pas tërmetit, ndërsa numri i banesave me qira është shumë i ulët në krahasim me kërkesat.
“Numri i banesave me qira është shumë i kufizuar për shkak se pjesa më e madhe e pallateve janë dëmtuar nga tërmeti. Pak apartamente janë vetëm te disa pallate që janë ndërtuar vitet e fundit, të cilat janë zënë shumë shpejt dhe çmimi i qirave është rritur shumë. Nëse një apartament 1+1 ka qenë 130 mijë lekë të vjetër, ka shkuar 150- 160 mijë lekë. Ndërsa një apartament 2+1 që ka qenë 160, ka shkuar 180-200”, thotë Sokol Ndoci, agjenci imobiliare.
Në Qarkun e Lezhës janë dëmtuar 3,983 banesa, përfshirë dhe apartamentet në 126 pallate nga tërmeti i 26 nëntorit ku 70 për qind e dëmeve janë në Bashkinë e Kurbinit. Deri tani kanë aplikuar për bonus qiraje rreth 1 mijë familje, ndërsa pagesa që iu ofrohet është 30 mijë lekë për frymë.
Durrës, qytetarët nuk sigurojnë dot një shtëpi
Qytetarët e strehuar në hotelet e Durrësit, pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit të kaluar, nuk pranojnë të lirojnë ambientet, pasi nuk kanë arritur akoma të gjejnë një strehë për të futur kokën. Një pjesë e tyre thonë se nuk u ka dalë bonusi i qirasë, ndërkohë disa të tjerë pohojnë se edhe pse u ka dalë emri në listën e bashkisë, nuk kanë arritur të gjejnë shtëpi. Në këto kushte, mijëra qytetarë të mbetur pa strehë nga tërmeti i 26 nëntorit i ka gjetur viti i ri mes katër rrugëve. “Kishim dëgjuar se data 6 janar ishte afati i fundit për të liruar ambientet ku qëndrojmë prej datës 29 nëntor. Ne nuk kemi ku të shkojmë. Edhe sikur të na përzënë nga hotelet, nuk dalim, pasi nuk kemi gjetur akoma shtëpi. Është shumë, shumë e vështirë për të gjetur një shtëpi me qira, ndërkohë edhe qiraja është rritur shumë”, shprehet Adem Keçi.
BONUSI I QIRASË
Rreth katër mijë e njëqind familje kanë aplikuar në Bashkinë e Durrësit për bonusin e qirasë, ndërkohë për 1130 persona ka nisur shpërndarja e parave. Për shkak të rritjes së çmimit të shtëpive me qira, qytetarët thonë se paratë e përfituara nga bonusi i qirasë nuk mjaftojnë për të paguar banesën, pasi pronarët e kanë rritur shumë çmimin e tyre. “Unë jetoj me familjen time këtu në këtë hotel. Bonusi i qirasë ka dalë. Ka dalë pikërisht sot (dje). Por ka një problem shumë të madh. Paratë që kemi përfituar nga bonusi, nuk mjaftojnë për të paguar shtëpinë me qira, pasi çmimi është rritur shumë. Qeverisë i faleminderit sepse na strehoi dhe na mundësoi bonusin e qirasë, por duhet të marrë masa për të parandaluar abuzimin e pronarëve të shtëpive, të cilët e kanë katërfishuar çmimin e qirasë”, thotë Xhevrie Doko.
AFATI I LARGIMIT
Më herët, të strehuarve nëpër hotele u ishte vendosur një afat, që thuhej se ishte data 6 janar (dje), por duke parë realitetin që pjesa më e madhe e qytetarëve nuk kanë arritur të sigurojnë një strehë, u ndryshuan rregullat e lojës. Qytetarët nuk mund të qëndrojnë pafundësisht në ambientet e hoteleve, por të paktën deri në 30 janar ata që nuk kanë arritur të gjejnë shtëpi me qira, nuk do të detyrohen të lirojnë ambientet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



