Kroacia hap urën e shumëpritur duke anashkaluar Bosnjën
Kroacia ka inauguruar një urë që lidh bregdetin e saj jugor të Adriatikut, duke përfshirë destinacionin e njohur turistik të Dubrovnikut, me pjesën tjetër të vendit, duke anashkaluar një rrip të ngushtë të territorit boshnjak.
Hapësira prej 2,4 kilometra shtrihet nga territori kroat në gadishullin Peljesaç që lidhet me pjesën jugore të vijës bregdetare të Kroacisë, e vendosur midis detit dhe Alpeve Dinarike.
Hapja e urës të martën vjen në një kohë kur Kroacia po kërkon të rikthej turizmin në nivelet e para pandemisë.
“Hapja e urës ka një rëndësi të madhe jo vetëm emocionale për shkak të lidhjes së territorit të Kroacisë, por edhe për turizmin dhe ekonominë në përgjithësi,” tha në fillim të këtij muaji ministri i transportit Oleg Butkoviç.
Lidhja midis territoreve do t’i japë fund orëve të shumta të pritjeve nga udhëtarët, tregtarët dhe turistët në kufirin e Bosnjë-Hercegovinës dhe është një nga projektet më ambicioze të infrastrukturës të vendit që kur Kroacia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia në 1991.
Ishte shpërbërja e përgjakshme e federatës, që la një ndarje territoresh në të gjithë Ballkanin, me ndarje midis gjashtë ish-republikave të saj të transformuar në kufij ndërkombëtarë.
Bosnja ruajti aksesin e saj bregdetar në fund, por dalja e saj e vogël që të çonte në detin Adriatik kalonte pikërisht përmes Kroacisë.
Si rezultat, rreth 90,000 njerëz, përfshirë banorët në Dubrovnik, mbetën të shkëputur nga pjesa tjetër e vendit.
Kufiri solli linja dhe burokraci për tregtarët dhe shqetësime të ndryshme për turistët që shpresonin të shkonin në jug të Kroacisë.
“Është me të vërtetë një projekt historik për Kroacinë,” tha Sabina Mikulic, pronare e një hoteli.
Banorët e rajonit piktoresk, plazheve me guralecë dhe fermave të molusqeve presin me padurim fundin e izolimit të tyre gjeografik të shkaktuar nga kufiri boshnjak.
Pritjet me orë të tëra në kufi dhe frika për humbjen e tragetit të fundit të ditës do të bëhen tashmë një gjë e së shkuarës, thonë ata.
E financuar nga BE, prodhim kinez
Hapja e urës është pritur prej kohësh dhe jo pa polemika.
Kroacia në fillim u përpoq të ndërtonte urën në vitin 2007, por projekti ndaloi pesë vite më vonë për shkak të kufizimeve buxhetore.
Në vitin 2017, Bashkimi Europian, të cilit Kroacia iu bashkua në 2013 financoi 357 milionë euro, afërsisht 85% të kostos së projektit.
Një kompani kineze u zgjodh në vitin 2018 për të ndërtuar urën, duke shënuar përfshirjen e parë të rëndësishme kineze në një projekt infrastrukturor në Kroaci.
Por jo të gjithë ishin të kënaqur me ndërtimin e urës, me zyrtarët në Bosnje që pretendonin se ajo do të pengonte aksesin e saj detar duke parandaluar hyrjen e anijeve me tonazh të lartë në portin e saj të vetëm.
Qeveria kroate ra dakord të rriste lartësinë e urës në 55 metra në një përpjekje për të shuar mosmarrëveshjen, edhe pse kjo rriti koston e strukturës.
Kroacia, një vend me 3.8 milionë banorë, tërheq miliona turistë çdo vit të cilët përpiqen të shfrytëzojnë bregdetin mahnitës kroat që ka më shumë se 1000 ishuj dhe gadishuj.
Jashtë turizmit, ura ka të ngjarë të shërbejë si një ndihmë edhe për bizneset dhe tregtarët./ Al Jazeera English
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



