E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kronikë e një revolte të paralajmëruar:
OP-ED

Kronikë e një revolte të paralajmëruar:

 

Kur flamingot bëjnë autopsinë e sistemit

Flamingot e Zvërnecit brenda 10 ditëve u bënë me urgjencë një amalgamë absurde interesash transatlantike: nga agjendat gjeopolitike te marksistët e salloneve, nga anarkistët e deri te algoritmet që ushqejnë neurozat e rrjeteve sociale. Nën ombrellën e fesë së re globale — ekologjizmit — një bërthamë idealistësh vendas u përdor si mish për top për të ndaluar skuadrën e pushkatimit që qeveria e Tiranës kishte rreshtuar kundër mjedisit. Sigurisht, Shqipëria këtu nuk është protagonistja, është thjesht sheshxhirimi i një drame me regji të huaj. Ky vend është preteksti; shkaqet e vërteta janë kalkulime të ftohta globale.

Ajo që nisi si alarm për faunën, sapo zbriti në Bulevardin e Tiranës u zhvesh nga ngjyrat rozë dhe u shndërrua në një betejë të dëshpëruar ekzistenciale.

Është përplasja ballore e një shoqërie të mbytur nga frustrimi përballë një kaste politike thjesht të korruptuar deri në palcë, e cila tashmë nuk u ngop së shituri llokma Shqipërie, duke grabitur rregullisht pasuritë publike.

Kjo protestë ushqehet nga tërbimi legjitim ndaj një pakice oligarkësh dhe sekserësh, që na bëjnë karshillëk banal met paratë e korrupsionit përballë një populli që luan met mbijetesën.

Në Tiranë, politika është shndërruar në të vetmin biznes me fitim të garantuar 100%, ku nuk paguhen taksa, bur luhet me fate njerëzore, dhe ku varfëria nuk trajtohet si pasojë e keqmenaxhimit, por si krim penal i paapelueshëm. Zemërimi sot është monedha e vetme e mbetur në treg. Në tre dekada, ky pluralizëm bastard nuk zgjedhi asnjë problem; ai thjesht u shndërrua në problemin më të madh që ky vend duhet të zgjidhë.

Bulevardi mund të mbetet i pushtuar gjatë, dhe, edhe nëse vapa përcëlluese e Tiranës e tkurr përkohësisht masën, kjo protestë do të rindizet pas gushtit, kur universitetet të rihapen dhe motori i pakënaqësisë studentore të marrë xhiro.

Rama po bën akrobacinë e fundit i dëshpëruar, sepse tashmë nuk ngjit as me meme, as me premtime dhe, çfarë është më e keqja për të, ka humbur edhe shkëlqimin e rremë që ndërtoi me aq mund e shumë para, duke dhënë nga baçja e tij çfarë i kërkohej, në shkëmbim të pushtetit.

Mbretin tashmë po e nënçmojnë edhe nga zyrat e shtetit dhe kampit rilindas. Pelikanët e Zvërnecit nxorën në bulevard blogerë, politikanë, artistë, gazetarë, demokratë e socialistë. Ish-ushtarakë, ish-policë, pensionistë e emigrantë.

Forca e kësaj lëvizjeje qëndron pikërisht te paradoksi i saj: te numrat pa emra, te masiviteti pa kryetar të korruptueshëm, te anonimati që bashkon dhe jo te portretet që ndajnë. Magjia e saj e përkohshme është se di të refuzojë me saktësi kirurgjikale atë që kemi, pa pasur ende nevojë të artikulojë se si duhet të jemi. Ajo nuk ka pronar, prandaj nuk mund të shitet.

Në këtë skenë, ftesat cinike të Edi Ramës për dialog dhe përpjekjet e dëshpëruara të Sali Berishës për t’i hipur kalit të revoltës janë njëlloj fatale. Dy ujqërit e politikës shqiptare kanë në favorin e tyre pikërisht atë që duhej t’i kishte skualifikuar me kohë: makineritë e gatshme të manipulimit dhe përvojën e mbijetesës. I primi, Rama, me pushtetin absolut të akumuluar përmes patronazhimit; i dyti, Berisha, duke pritur një lajm të pamundur nga Uashingtoni për heqjen e “Non Gratës”. Ata janë bashkë: si atëherë kur e tallin protestën, si tani kur i premtojnë mbështetje.

Por prapaskena e vërtetë nuk luhet në Tiranë. Ajo që duket si një betejë mes axhendës atipike të Trumpit dhe establishmentit të vjetër euro-atlantik, e amplifikuar nga media globale, është thjesht një pasqyrë ku ne shohim shkallën e kalbëzimit tonë. Është prova e pakontestueshme se pas rrëzimit të komunizmit grotesk, ne nuk ndërtuam një demokraci, bur një hibrid të frikshëm, të kriminalizuar dhe të rrënuar moralisht. Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një geto luksi për një grusht njerëzish dhe një fjetore gjigante për pjesën tjetër që pret biletën e ikjes.

Prandaj, Kryeministri bën mirë të ndalë prodhimin e memeve dhe të heqë syzet e arrogancës me të cilat ka parë deri më sot një opozitë zyrtare që ngjan me atë të dehurin kronik, i cili në çdo dehje bie ekzaktësisht në të njëjtën gropë. Kësaj radhe, beteja nuk është me blogerët apo me shpendët ekzotikë të mjedisit. Beteja nuk është as me mediat e huaja që dikur e llastonin si lider perëndimor e sot i nxjerrin faturat e prapaskenave.

Rama sot ka përballë pasqyrën e modelit që ndërtoi vetë për të mbajtur pushtetin. Flamingot e Zvërnecit ishin thjesht lajmëtaret.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.