Si Sako e Durrësit edhe Subashi i Fierit ja ngre vetes rrogën 2.9 milionë lekë; opozita voton pro
Në një vend ku pagat minimale mbeten të ulëta dhe mijëra punonjës mbijetojnë me vështirësi, kryebashkiakët e Ramës janë të zënë duke nxitur vetë-pasurimin në kurriz të shtetit. Duke përfituar nga VKM-ja e fundit për rritjen e pagave, ata po kalojnë në stratosferë jo vetëm pagat e tyre, por edhe ato të vartësve besnikë.
Në një akt të paturpshëm, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako, ka vendosur ta rrisë pagën e saj me plot 57%, duke e çuar në 2.9 milionë lekë. E njëjta skemë është ndjekur edhe nga kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, i cili në fshehtësi nga media, ka mbledhur Këshillin Bashkiak për të miratuar një rritje të ngjashme për pagën e tij.
Nënkryetarët dhe drejtorët e institucioneve në varësi të bashkisë janë gjithashtu përfitues të këtij spektakli të babëzisë, me rritje deri në 80%, ndërsa punonjësit e thjeshtë të shërbimeve, si shoferë, magazinierë dhe sanitare, vazhdojnë të mbeten në nivelin e pagës minimale.
Ky vendim i pakomentueshëm nga ana e kryebashkiakëve është një tjetër dëshmi e shpërdorimit të pushtetit. E tërë kjo manovër kalon edhe nëpër kartonët e opozitës, e cila për të dytën herë bashkon votat me PS-në, duke rritur pagat e kryebashkiakëve dhe më parë ato të deputetëve, të cilët vendosin për fatin e një populli që e kanë lënë në varfëri.
Problemi nuk është thjesht rritja e pagave, por një babëzi e paskrupullt që nxjerr në pah moralin e zbrazët të këtyre politikanëve. Pa ndonjë ndjenjë përgjegjësie ndaj qytetarëve që përfaqësojnë, kryebashkiakët, të mbështetur nga një qeveri që i toleron dhe përkrah, po e përmbysin idenë e shërbimit publik, duke e kthyer administratën lokale në një biznes përfitimi të ndërsjellë.
Këta drejtues të PS , janë kthyer në simbole pazaresh që kanë vetëm një interes: përfitimin personal në kurriz të qytetarëve. Ndërkohë që qytetarët luftojnë me pagat minimale dhe inflacionin, ata janë të angazhuar vetëm në rritjen e privilegjeve të tyre.