Kryemadhi: Në zgjedhjet e ardhshme, opozita do shkojë e bashkuar
Monika Kryemadhi ka konfirmuar marrëveshjen e 23 prillit nga të gjitha partitë e opozitës së bashkuar që kanë marrë angazhimin për të marrë pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.
Gjatë emisionit “Opinion’, Kryemadhi është shprehur se në zgjedhjet e ardhshme, opozita do shkojë e bashkuar dhe do jetë e hapur edhe për parti të tjera në koalicion.
E pyetur nëse kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha bëri gol apo autogol me dakordësinë për reformën zgjedhore, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi tha se bëri një gol nga një distancë shumë të largët.
‘Sigurisht që bëri gol dhe bëri një gol nga një distancë shumë të largët. E bëri gjithë opozita. Unë them që këtu ka humbur ai që donte të mbushte kutitë siç i mbushi më 30 qershor’, tha ajo në ‘Opinion’.
‘LSI asnjëherë nuk e fut lugën tek pjata e tjetrit dhe sidomos në situatën ku jemi. LSI ka angazhimin e shumë të rinjve dhe të rejave. LSI ka qenë gjithmonë e qëndrueshme me elektoratin e saj’, tha ajo.
Gjithashtu, Kryemadhi sqaroi opinionin se, ‘ne si opozitë e bashkuar kemi qëllimin që të krijojmë besimin tek qytetarët shqiptarë që do të shkojmë drejt një procesi zgjedhor, i cili do të krijojë mundësinë e krijimit të një sistemi të ri demokratik, për të cilin shqiptarët kanë nevojë’.
Fevziu: Znj. Kryemadhi, opozita do të shkojë e bashkuar në zgjedhje?
Kryemadhi: Patjetër. Të gjithë shqiptarët duhet ta dinë se ka një marrëveshje të nënshkruar më 23 prill nga të gjitha partitë e opozitës së bashkuar që kanë marrë angazhimin për të marrë pjesë në zgjedhje si front i bashkuar opozitar.
Fevziu: Do shkojnë si koalicion? Sepse Rama sot tha që nuk i preferon koalicionet. Në qoftë se votohet jo me koalicione, si do veproni? Do shkoni me një listë?
Kryemadhi: Z. Fevziu ne nuk ndajmë të gjithë të njëjtat dëshira sepse edhe për standardin e jetës dhe për stilin e jetës që kemi zgjedhur, nuk i kemi të njëjta. Kështu që, ne nuk mund të kemi gjëra të përbashkëta. Nëse z. Rama nuk i pëlqen koalicioni, të tjerët mund t’i pëlqejnë koalicionet. Edhe z. Rama nuk është se nuk i pëlqen koalicioni, por nuk i shkon njeri për të bërë koalicion dhe ndaj e thotë që nuk i pëlqen koalicionet.
Fevziu: Pra, LSI do të shkojë në zgjedhje në një koalicion të madh?
Kryemadhi: Po, patjetër me një koalicion të madh.
Fevziu: A do t’i hapeni dhe partive të tjera që do duan t’i bashkohen kësaj opozite?
Kryemadhi: Patjetër që do të hapemi.
Fevziu: Me çfarë kriteresh?
Kryemadhi: Me kritere shumë të thjeshta që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor për t’u ofruar shqiptarëve një parlament legjitim, pra t’u ofrojmë shqiptarëve nëpërmjet referendumeve vendosjen e sistemit që ata duan.
Fevziu: Pra ju si LSI do shkoni me PD dhe nuk keni ndonjë shans të riktheheni tek Rama në ndonjë koalicion të mundshëm?
Kryemadhi: Vetëm nëse unë jam e çmendur dhe jam njeri që nuk mbaj fjalën. Por unë shquhem si njeri që e mbaj fjalën. Një nga vështirësitë e mia më të mëdha është që po e dhashë fjalën i qëndroj deri në fund, qoftë edhe me kosto personale.
Fevziu: E mundni Ramën të gjithë bashkë?
Kryemadhi: Sigurisht, është në minorancë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



