Kryeministri spanjoll: Ne mbështesim Serbinë para Kosovës
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez ndodhet në Serbi për një vizitë zyrtare.
Në Beograd, ai është pritur për një takim nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Sipas mediave serbe, ai e ka siguruar se Spanja e mbështet Serbinë kur bëhet fjalë për Kosovën.
“Ne mbështesim Serbinë kur është fjala për Kosovën. Spanja ishte dhe do të jetë gjithmonë me Serbinë në mbrojtje të këtij parimi”, ka thënë Sanchez në një konferencë të përbashkët me Vuçiç, shkruan Gazeta Express.
Sipas mediave serbe, Sanchez ka thënë se marrëdhëniet mes Spanjës e Serbinë janë të shkëlqyera, me synimin që shkëmbimi tregtar të arrijë në nivele tjera.
Ai ka theksuar se në tetor në Beograd do të organizohet një forum biznesi i kompanive spanjolle dhe serbe dhe se qeveritë e të dy vendeve janë duke punuar për një marrëveshje dypalëshe ekonomike.
Presidenti Vuçiç, nga ana tjetër, ka thënë se Spanja është mike e sinqertë e Serbisë si dhe një nga miqtë më ë mëdhenj në botë.
”I dashur mik, të gjithë të duan në këtë vend, nuk do të gjesh një person të vetëm që nuk mendon kështu”, citohet Vuçiç nga mediat në Beograd.
Spanja është një prej pesë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Pavarësisht përpjekjeve diplomatike ndër vite, Spanja nuk është luhatur nga qëndrimet e saj për çështjen e Kosovës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



