Kryqëzimi i biznesmenëve si shërbim ndaj zyrtarëve publikë të korruptuar

Klodian Tomorri
Shpërthimi i skandalit të rëndë korruptiv 5D çliroi edhe një herë kryqëzatën publike ndaj bizneseve. Ne median e shkruar vërshuan lajmet që denonconin biznesmenët, të cilët kishin fituar tendera në bashkëpunim me kompaninë 5D. Në studiot televizive të mbrëmjes përpunohej narrativa se një pjesë të madhe të bashkëfajësisë në këtë korrupsion e kishin pikërisht biznesmenët, të cilët jo vetëm nuk e kishin denoncuar kompaninë 5D, por ishin bërë palë në korrupsion me të.

Në fakt, prej kohësh biznesi është shndërruar në gjahun me të lehtë të shantazhit publik. Për median ky është një sport me përfitime të mëdha, ndërsa për zyrtarët e korruptuar një shërbim i paçmuar.

Së pari nuk është e vërtetë se bizneset nuk kanë folur për dosjen 5D ashtu siç përpiqet të propagandohet në publik. Denoncimi i kesaj dosje ka ardhur pikërisht nga biznesi dhe opozita e di mirë këtë. Madje zyrtarëve të lartë të bashkisë, përfshirë kryetarit të saj Erion Veliaj i është thënë haptazi nga biznesmenë, që 5D është kompani e bashkisë.

Zoti Veliaj e pranoi vet një ditë më parë, kur pohohi publikisht se kishte dëgjuar fjalë, por shtoi se nuk mund të besonte çdo thashethem që thuhet nëpër Tiranë. Kjo është e vërteta e kryetarit të Bashkisë. Por ka dhe një të vërtetë tjetër.

Njëri nga biznesmenët që ka denoncuar kompaninë 5D shumë kohë para se ajo të denoncohej publikisht, që pas atij momenti nuk fiton më asnjë kontratë në bashkinë e kryeqytetit. Madje, biznesmenit në fjalë i refuzohet firmosja e kontratës për një tender, të cilin e ka fituar me 3 vendime të Komisionit të Prokurimit Publik. Ky është një rast i paprecedent në historinë e shtetit shqiptar.

Edi Rama pati thënë dikur se faji është i sistemit. Dhe kishte të drejtë. Sistemi që ai dhe maxhoranca e tij kanë ndërtuar ngjason me një pellg, i cili i bën pis të gjithë. Biznesin, mediat, shoqërinë civile, intelektualët, të gjithë ….

Eshte e lehtë të kryqëzosh biznesmenët. Madje edhe shumë fitimprurëse. Por dosja 5D nuk është komplot i një grupi biznesmenësh kundër qytetarëve dhe interesit publik. Ajo është thjesht korrupsion i disa zyrtarëve, të cilët mandatin publik e shndërruan në sipërmarrje private. Kjo është e vërteta e thjeshtë.

Këneta që bën pis gjithçka ndotet vetëm nga një burim. Ai është korrupsioni që gjenerojnë zyrat e shtetit. Gjithë të tjerët janë viktima. Përfshirë biznesmenët, të cilët në xhunglën korruptive janë vendosur me pahir përballë dy zgjidhjeve të detyrueshme. Të mbijetojnë në pellgun e ndotur ose të dërgojnë punonjësit e tyre në shtëpi dhe të marrin në krah trastën e kurbetit. Ky është sistemi për të cilin ankohej dikur kryeministri.

Publikuar nga Publik Media