Kryqëzimi i Dritan Goxhajt dhe halli i vërtetë i Edi Ramës me protestën
Sapo Dritan Goxhaj doli në shesh dhe lexoi 5 kërkesat e protestës që ka ngrirë kryeministrinë prej më shumë se tre javësh, mbi të shpërtheu një lumë i parashikueshëm balte. Makineria e propagandës u ndez me butonin “maksimum”. Por, përpara se të futemi te gjeopolitika dhe akuzat pompoze, ka një detaj njerëzor që ulëret dhe çmonton çdo skenar të Rilindjes: ky ish-luftëtar i UÇK-së, që sot akuzohet si “poliagjent” me plane globale, jeton ende në një shtëpi me qira në Tiranë.
Kjo mjafton për të kuptuar hendekun mes realitetit dhe flluskës propagandistike. Edi Rama ishte i përgatitur për daljen e Goxhajt në skenë si një nga figurat drejtuese të revoltës qytetare. Shiu i menjëhershëm i akuzave si “agjent i huaj”, i ndjekur nga kori i ministrave dhe deputetëve socialistë – që deri dje rrinin të strukur nën karriget e pushtetit – është thjesht pjesë e një breshërie të koordinuar.
Por, në realitet, ky sulm nuk po i bën dëm Dritan Goxhajt. Përkundrazi.
Si një figurë që sapo ka shkelur zyrtarisht në arenën e nxehtë politike, ky kryqëzim publik thjesht po e forcon atë në sytë e një mase të madhe njerëzish që janë rreshtuar kundër Edi Ramës dhe mazhorancës. Politikisht, e gjithë kjo strategji e sulmit frontal ngjan me një bumerang të dëshpëruar të kryeministrit. Është vetë Rama ai që po kontribuon në profilizimin dhe rritjen e një figure të re rivale, duke i dhënë peshën e kundërshtarit kryesor.
Megjithatë, kushdo që mendon se Edi Rama e ka hallin te Dritan Goxhaj, gabon rëndë. Ai nuk e ka frikën as te Goxhaj, e madje as te vetë protestuesit që qëndrojnë në shesh prej javësh.
Mesazhi i tij i egër dhe i koduar, në fakt, u drejtohet dy aktorëve të tjerë, të cilët e frikësojnë shumë më tepër se sa çdo rival i ri politik.
Objektivat e vërtetë të kësaj propagande janë shumë më specifikë:
Së pari, SPAK: Institucioni që ka në duar dosje përvëluese. Njëra prej tyre pritet të vijë shumë shpejt në Kuvend për mandatin e Belinda Ballukut, ndërsa disa figura të tjera prekin direkt pushtetin e kryeministrit. Pas goditjeve ndaj kartelave të drogës dhe biznesmenëve, radha po i vjen disa figurave kyçe politike pranë kryeministrit. Imagjinoni presionin e protestës, të kombinuar me dosjet përvëluese të korrupsionit për bashkëpunëtorët më të ngushtë të kreut të qeverisë.
Së dyti, partnerët ndërkombëtarë: Gjermania, por jo vetëm. Sipas shumë analizave, ajo po luan një rol jashtëzakonisht aktiv në mbështetjen e faktorëve kundërshtarë të qeverisë, pa harruar edhe qarqe të caktuara amerikane që po ndjekin me lupë zhvillimet e fundit.
Në thelb, Rama po përpiqet të shesë një flluskë: po tenton të krijojë përshtypjen se mbështetja për këtë protestë po e fut Shqipërinë në një axhendë të rrezikshme antiperëndimore.
Prania e Goxhajt në krye të kësaj lëvizjeje nuk është një rrufe në qiell të pastër. Ai është prej vitesh një fytyrë e njohur në studiot e Tiranës, madje edhe në televizionet e qeverisë, gjithmonë i skajshëm dhe kritik. Goxhaj e dinte mirë se ku po futej dhe me kë do të përballej. Ndërsa Rama hante makarona në Paris, Goxhaj i ishte bashkuar luftës së UÇK-së për çlirimin e Kosovës.
Është fakt që Goxhaj nuk i ka fshehur kurrë qëndrimet e tij kritike nëpër analiza ndaj politikave të SHBA-së, apo mbështetjen e nuancuar për Iranin gjatë konflikteve në Lindjen e Mesme, gjë që i ka siguruar një bazë ndjekësish në rrjetet sociale nga segmente antiperëndimore. Por, po aq fakt është se sot kemi të bëjmë me një individ që ka hyrë në fushën politike, kërkon pushtet dhe shfaq hapur pozicionet e tij. Goxhaj thjesht po thith një masë njerëzish që deri dje lëviznin të papërfaqësuar mes Ramës dhe Berishës.
Edi Rama është i shqetësuar për sondazhet. Ai e njeh mirë lëvizjen e opinionit publik. Mjaftuan 20 ditë protestë dhe ALGORITMI e ka çuar vërtet në pikiatë, madje edhe brenda gardhit të tij. Nuk është thjesht ish-deputetja Marjana Koçeku, as statuset e Elisa Spiropalit që kanë rrënuar sondazhet. Protesta ka konverguar në një urrejtje masive ndaj keqqeverisjes me “Gysagasët”, oligarkët dhe parcelizimin e Shqipërisë për interesat strikte të axhendës së tij politike.
Qëllimi i vërtetë i kryeministrit është të kompleksojë qarqet diplomatike europiane dhe amerikane. Mesazhi i tij për ta është i qartë: “Nëse më rrëzoni mua, ose nëse mbështetni presionin ndaj meje, alternativa që do t’ju vijë në pushtet nuk do të përputhet me interesat tuaja.”
Kjo është përpjekja e fundit e Ramës për të frenuar presionin ndërkombëtar dhe për të detyruar SPAK-un të ulë ritmin e të mbajë dorën me dosjet e nxehta. Këto dosje, të kombinuara me presionin e pandalur të protestave, mund të rrënojnë pa kthim qeverisjen e tij 14-vjeçare. Sepse, në fund të ditës, beteja e vërtetë e Edi Ramës për mbijetesë nuk po zhvillohet më vetëm në sheshin para kryeministrisë, por edhe brenda fashikujve të dosjeve të SPAK-ut dhe GJKKO-së.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



