E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Ku shkojnë paratë e korrupsionit? Bomba e radhës për qeverinë Rama
Lajme

Ku shkojnë paratë e korrupsionit? Bomba e radhës për qeverinë Rama

Dokumentari nga Austoria dhe USB-ja me emrat, pagesat dhe paratë e aferave

Dëshmitari shqiptar, identiteti i të cilit mbahet sekret, pretendon se në USB ndodhen të dhëna për pagesa, emra dhe arsyet e transfertave. Investigimi po realizohet nga producenti austriak Frederik Füssel.

Një investigim i ri dokumentar që po përgatitet në Austri mund të sjellë në vëmendje pretendime të forta mbi korrupsionin dhe përdorimin e fondeve publike në Shqipëri.

Në qendër të dokumentarit, i cili po realizohet nga regjisori dhe producenti austriak Frederik Füssel, është dëshmia e një personi nga Shqipëria, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për arsye sigurie.

Sipas materialeve të publikuara deri tani, investigimi synon të hedhë dritë mbi disa prej skemave të dyshuara të korrupsionit në Shqipëri, duke ndjekur jo vetëm mënyrën se si janë kryer pagesat, por edhe gjurmët financiare që lidhen me to.

Një prej elementeve që tërheq më shumë vëmendjen është një USB, të cilën dëshmitari pretendon se e ka dorëzuar si pjesë të materialeve të investigimit. Sipas tij, pajisja përmban të dhëna mbi pagesa, persona të përfshirë, shuma parash dhe arsyet për të cilat janë kryer këto pagesa.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga gazetarja Lindita Çela, shfaqet Frederik Füssel duke mbajtur në dorë USB-në, ndërsa zhvillohet një bisedë me dëshmitarin shqiptar.

Nga dëshmia e publikuar pretendohet se të dhënat e ruajtura në pajisje mund të çojnë te personat të cilët dëshmitari i akuzon për përfshirje në skema pagesash.

“Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna, ke dhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata”, shprehet dëshmitari gjatë bisedës.

Në këtë fazë nuk janë bërë publike të gjitha materialet që pretendohet se ndodhen në USB dhe as identitetet e personave të cilëve u referohet dëshmia. Po ashtu, pretendimet e bëra nga dëshmitari mbeten për t’u verifikuar përmes dokumenteve, të dhënave financiare dhe burimeve të tjera të pavarura.

Çfarë pretendohet se përmban USB-ja?

Në videon e publikuar, gazetari e pyet dëshmitarin se çfarë ndodhet në pajisjen elektronike.

“Pra çfarë ka në këtë USB?”, pyet ai.

“ Të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat…”, përgjigjet dëshmitari.

Më tej, gazetari e pyet nëse përmes këtyre të dhënave mund të arrihet te personat që ai akuzon.

“Të gjithë njerëzit që unë po akuzoj sot”, përgjigjet dëshmitari.

Kur pyetet nëse në material gjenden edhe emrat, dëshmitari jep një përgjigje të drejtpërdrejtë: “Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna, ke dhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata”.

Këto deklarata ngrenë pikëpyetje mbi natyrën e materialeve që pretendohet se janë administruar dhe mbi projektet apo transaksionet me të cilat ato mund të lidhen.

Sipas paralajmërimeve të bëra për investigimin, dokumentari pritet të trajtojë raste që lidhen me projekte publike dhe përdorimin e fondeve shtetërore, ndërsa një pjesë e rëndësishme e tij duket se do të fokusohet te gjurmimi i parave.

Deri në publikimin e plotë të dokumentarit, mbetet e paqartë se cilët janë zyrtarët apo personat që mund të përmenden dhe nëse materialet e pretenduara do të konfirmohen nga dokumente të verifikueshme.

Gazetarja Lindita Çela ka bërë të ditur se materiali i publikuar deri tani është vetëm një pjesë e shkurtër e një investigimi më të gjerë.

Sipas saj, në vijim pritet të publikohen të tjera të dhëna dhe prova, ndërsa procesi i verifikimit të materialeve vazhdon.

Kush është Frederik Füssel?

Frederik Füssel është regjisor, producent dhe drejtor fotografie nga Austria, me një karrierë disa dekadëshe në industrinë e filmit dhe televizionit.

Karrierën e tij e nisi në vitin 1992 në ABC TV Austria. Gjatë viteve në vijim, ai ka marrë pjesë në produksione filmike dhe televizive në më shumë se 50 vende të botës.

Në vitin 2001, Füssel themeloi kompaninë FMproductions, ndërsa aktualisht është CEO dhe producent i Seven Ocean Pictures.

Në karrierën e tij ndërkombëtare, Füssel ka realizuar dhe prodhuar një sërë dokumentarësh. Ndër projektet e tij është edhe “Singing for Life”, i cili në vitin 2011 fitoi Çmimin Special në Prix Italia, në Torino.

Një tjetër projekt i tij është dokumentari “People of War”, i realizuar në vitin 2024. Filmi u xhirua gjatë një periudhe dyvjeçare në Ukrainë dhe ndjek aktivitetin e vullnetarëve që evakuonin civilë dhe shpërndanin ndihma pranë zonave të luftës.

Füssel ka punuar gjithashtu si drejtor fotografie në produksione të ndryshme ndërkombëtare, me projekte të realizuara në Europë, Afrikë, Azi dhe Amerikën e Veriut.

Tashmë, një prej projekteve të tij të reja lidhet me Shqipërinë dhe me një dëshmi që pretendon se përmban të dhëna konkrete mbi pagesa, emra dhe transaksione.

Nëse materialet e paralajmëruara do të publikohen dhe verifikohen, dokumentari mund të sjellë një tjetër perspektivë mbi disa prej çështjeve të korrupsionit dhe përdorimit të fondeve publike në Shqipëri.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.