E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kujdes me votën e emigrantëve!
Publik News

Kujdes me votën e emigrantëve!

ARTAN  LAZAJ*

Që në fillim të kësaj analize dëshiroj të shpreh gëzimin dhe entuziazmin për nismën e bërjes realitet të votimit të emigrantëve. E them këtë pasi kam qenë partizan i hershëm i kësaj ideje. Votimi i emigrantëve aty ku janë, është proces aq i rëndësishëm sa edhe delikat. Edhe pse i vonuar, është proces shumë i domosdoshëm. Emigrantët janë gati më shumë se gjysma e votuesve dhe vota e tyre shpesh vendos fatin e zgjedhjeve. Por përtej këtij entuziazmi, kujdes!

Për realizimin me sukses të këtij procesi ligjor, revolucion, qëndrojnë disa vështirësi ligjore, politike dhe implementuese. Për sa u përket vështirësive politike, mendoj se ky proces duhet të bëhet me konsensus të gjerë politik, por pa prekur cilësinë e ligjit zgjedhor. Shpesh, eksperienca ka treguar se ndryshimet e Kodit Zgjedhor, janë kryer me harxhim energjie, kohe dhe në momentin e fundit, janë miratuar paketat ligjore, por nxitimi ka sjellë cilësi të dobët dhe që në herën e parë përsëri janë kërkuar ndryshime.

Për të arritur këtë konsensus dhe vullnet të munguar prej kohësh, duhet të fillojnë pa humbur kohë diskutimet me ekspertë të fushës brenda dhe jashtë vendit. Modelet janë të gatshme dhe duke ua përshtatur kushteve dhe realitetit shqiptar, besoj se do ketë sukses. Vështirësi më vete mendoj se paraqet hartimi i Regjistrit Kombëtar të Votuesve Emigrantë.

Që në fillim duhet që të ndahet mire se kush do të quhet emigrant, pasi kemi dy lloj emigrantësh, ata para vitit 1944, pas vitit 1944 dhe pas vitit 1990, të cilët nuk kanë humbur shtetësinë shqiptare dhe rrjedhimisht, nuk duhet të humbin të drejtën e votimit. Mendoj se qeveria duhet që të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me qeveritë e vendeve, në të cilat jetojnë emigrantë shqiptarë në mënyrë të ligjshme, kanë të regjistruar adresat në organet e këtyre vendeve dhe duhet të regjistrohen në këtë Regjistër Kombëtar.

E drejta për të votuar nuk duhet t’u lihet atyre në dëshirë, pasi këtu do fillojnë presionet dhe lojërat politike. Palët politike do gjejnë mundësinë që të akuzojnë njëra tjetrën se kanë hequr nga ky regjistër votuesit e tyre dhe kanë regjistruar vetëm votuesit e kundërshtarëve. Ata duhet të regjistrohen normalisht, të çregjistrohen nga listat e këtushme dhe duhet t’u jepet si e drejtë dhe jo si dëshirë. Në këtë regjistër duhet të regjistrohet edhe shqiptari i fundit, që rëndom gjendet në çdo cep të botës.

Pas këtij procesi jo të lehtë, duhet të diskutohet dhe të vendoset se cila do jetë mënyra e votimit. Për këtë ekzistojnë disa mënyra votimi, por që më të suksesshmet dhe të padiskutuarat kanë qenë votimi nëpër qendrat e hapura në ambasadat apo konsullatat, qendrat e votimit të hapura në qendrat kryesore urbane apo votimi me anën e postës. Edhe për këto duhet të hartohen rregulla sa më të qarta e të thjeshta e patjetër me konsensus, që të mos kemi nesër probleme ligjore. Votimi i emigrantëve do të sjellë detyrimisht edhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcion kombëtar si i vetmi sistem që i përshtatet plotësisht kësaj mënyre votimi.

Kjo mënyrë votimi për sistemet e tjera janë aventurë. Në këtë arsyetim, ky është i përshtatshëm vetëm për zgjedhjet parlamentare dhe Referendumet. Në këtë situatë, mendoj se duhet të zgjidhet edhe problemi i atyre votuesve, të cilët dita e votimit i gjen jashtë territorit të Shqipërisë dhe e kanë të pamundur që të votojnë, edhe pse duan ta ushtrojnë të drejtën për votim. Kështu janë: studentët, tregtarët, të sëmurët,turistët,marinarët etj.

Në zgjedhjet presidenciale të Kroacisë, para disa vitesh,Komisioni Qendror ishte i shqetësuar për votën e 20 marinarëve, të cilët ishin në udhëtim në Australi dhe që nuk ishte raportuar akoma. Këta votues nuk duhet të pengohen që të regjistrohen në Ambasadë apo ku të vendoset, në një regjistër të përkohshëm dhe mos të humbin të drejtën e votës. Personalisht, fëmija im si student në ShBA, ka humbur këtë të drejtë në pamundësi për t’u paraqitur këtu, edhe pse dëshira për të votuar ekzistonte. Problem tjetër është dhe mënyra e numërimit dhe regjistrimit të këtyre votave për të llogaritur rezultatin përfundimtar. Në përfundim, modestisht sugjeroj vullnet,konsensus dhe cilësi.

*Gjyqtar pranë Gjykatës së shkallës së parë, Tiranë

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.