“Kukësit do i sjellë fat Zaho”, Gjici: Sezon i dështuar pa Europën, klubi do të marrë masa nëse nuk ia dalim
Safet Gjici, kryetari i bashkisë i Kukësit dhe presidenti i nderit i klubit të futbollit, ka qenë sot në lidhje direkte në ”Sport News Plus” në ”News 24” për të komentuar inaugurimin e stadiumit të ri të qytetit të tij, por edhe paraqitjet e skuadrës. Ai e ka cilësuar me fat inaugurimin e veçantë të këtij impianti me djalin e kryeministrit të pranishëm, ndërsa ka lëshuar një ”kërcënim” në distancë për ekipin nëse nuk siguron Europën.

“Unë e kam besuar që kur më dha fjalën kryeministri që do bëjmë stadiumin e Kukësit. Padiskutim që ka pasur shumë skeptikë që nuk e besonin e thoshin që është një premtim fushate, etj. Më në fund e inauguruam edhe pse pandemia apo tërmeti kishte ndikimin e vet për vonesën. Ne arritëm që të bëjmë punë për Kukësin, kuksianët dhe futbollin shqiptar në tërësi me këtë stadium me të gjithë standardet.
Kryeministri ishte me Zahon, ajo ishte qershia mbi tortë që e inauguroi me të. Besoj se do të jemi me fat se është inauguruar me Zahon që kur iu hoq mbulesa te dera dhe shkelmimi i topit në fushë. E falënderoj kryeministrin edhe si babai i Zahos se na e solli në Kukës. Zaho ishte shumë i afrueshëm me kuksianët, ka bërë foto, video, ka dalë në fushë e luajti topin. Kuksianët treguan që janë mikpritës të mëdhenj dhe e patë që shkoi mirë inaugurimi deri në fund dhe ndeshja. Me erdhi si surprizë që Zaho zbriti në fushë, por i takonte atij të gjuante topin dhe besoj që bëmë mirë.
Stadiumi jo vetëm që realizoi ëndrrën e madhe pas 92 vitesh, po bëjmë stadium që për herë të parë ekipi të luajë në shtëpinë e vet me standarde europiane. Impakti nuk është vetëm për fushën e blertë, ajo që më intereson mua është zhvillimi i kuksianëve në aspektin ekonomik. E patë që ishin mbi 7 mijë vetë dhe imagjinoni çfarë zhvillimi ka Kukësi dhe të mirat që mbërrijnë në Kukës. Qoftë një kafe e ujë të pinë, kuptohet çfarë qarkullimi vlere monetare ka, ndeshjet edhe sjellin zhvillim. Apo edhe në Ligën e Kampioneve a Konferencës, padyshim stadiumi ndihmon për zhvillimin ekonomik të kuksianëve.
Rama-Duka? Nuk pashë gjë të ftohtë mes tyre në Kukës, madje kanë biseduar për investime në stadiume të tjera, unë kam qenë pjesë e bisedave dhe kam parë bashkëpunim të mirë, nuk kam parë ftohtësi me njëri-tjetrin. Besoj se ka qenë një bashkëpunim i shkëlqyer i qeverisë me Federatën, vetëm në kohën e Ramës janë bërë kaq shumë, janë ndërtuar 4 impiante me standarte europiane.
E kishim gati si stadium që në tetor, por ishte fusha pastaj, sidomos faktori kohë, dihet që në veri temperatura ka qenë deri në -15 gradë dhe nuk ia dilnim të bënim fushën gati e të hapnim stadiumin. Pastaj pritëm nga specialistë e fushës të na jepnin OK për ndeshjen e parë.

Padiskutim ka ndikuar stadiumi për rezultatet por kjo nuk duhet të justifikojë këjndeshjet e dobëta, qoftaë edhe kur ka luajtur jashtë. Nuk ka justifikim humbja me Kastriotin apo disa barazime apo humbje ku kanë pasur në favor ndeshjen e nuk kanë fituar. Kjo është një farë mënyrë përgjegjësia e lojtarëve, edhe stafi ka përgjegjësitë e veta. Por janë mundësitë të arrijmë e kapim që të jemi pjesë e Ligës së Konferencës dhe ky është objektivi tashmë se Kupa e kampionati u mbyllën për ne. Nëse nuk arrihet, është sezon totalisht i dështuar dhe pastaj patjetër klubi do të marrë masa ndaj të gjithë atyre që nuk arritën të realizonin të paktën këtë objektiv të fundit. Janë 6 ndeshje dhe trajneri e stafi e dinë që duhet të kapim medoemos Ligën e Konferencës.
Aksionet e klubit i ka klubi, pjesën që ka pasur bashkia janë nxjerrë në shitje e nuk e dimë se kush do të afrohet për t’i blerë se është ankand. Klubi ka pjesën e vet, që i kemi vënë në dispozicon stadiumin, fushën për të luajtur si veprimtari, kurse mirëmbajtjen e bën bashkia, se është pronë e bashkisë. Unë i bëj thirrje klubit të bëjmë përforcime në verë për të rregulluar gjërat që nuk ishin siç duhet, në mënyrë që vitin tjetër të kërkojë e të marrim një titull të dytë”, tha ndër të tjera Gjici.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



