Kulla te ish-Parku: Gjurma 23%, por ndërtesa zë mbi 60%”
Një qytetar i është drejtuar redaksisë së Publik.al me një denoncim lidhur me një projekt ndërtimi pranë zonës së ish-Parkut në Tiranë, duke ngritur një sërë pikëpyetjesh mbi mënyrën e miratimit të lejes, parametrat urbanistikë dhe ndikimin që objekti mund të ketë mbi lagjen.
Sipas dokumenteve dhe materialeve të përcjella në redaksi, projekti parashikon ndërtimin e një godine 12-katëshe mbi një truall me sipërfaqe rreth 1,101.6 m². Në dokumentacion rezulton një gjurmë ndërtimi prej 262.1 m², ose rreth 23.79% e sipërfaqes së truallit.



Por pikërisht këtu nis denoncimi.
Qytetari pretendon se përllogaritja e gjurmës së ndërtimit nuk pasqyron sipërfaqen reale që objekti zë në nivelet e sipërme. Sipas tij, kati përdhe është projektuar pjesërisht i hapur dhe i mbështetur mbi kolona, ndërsa katet e sipërme arrijnë një sipërfaqe prej rreth 530 m².
Nëse ky pretendim rezulton i saktë, lind nevoja për të sqaruar se mbi çfarë metodologjie është llogaritur gjurma e ndërtimit dhe nëse të gjithë parametrat janë në përputhje me dokumentet e planifikimit urbanistik të zonës.
Denoncuesi ngre pikëpyetje edhe për intensitetin e ndërtimit, i cili në dokumentet e paraqitura rezulton rreth 5.24, si dhe për lartësinë, numrin e kateve dhe distancat që objekti duhet të respektojë nga ndërtesat ekzistuese.
“Në zonë, sipas PDV-së, lejoheshin vetëm 11 kate maksimumi, ndërsa ky objekt do të bëhet 12 kate”, pretendon qytetari.
Një tjetër element i denoncimit lidhet me hapësirat publike. Sipas qytetarit, në planifikimin fillestar të zonës ishte parashikuar një hapësirë publike ose kopsht, e cila tashmë dyshohet se është hequr ose prekur nga zhvillimi i projektit.
Në materialet e dërguara në redaksinë e Publik.al përfshihen dokumente të projektit, plane të vendosjes së objektit dhe fotografi nga kantieri. Në dokumentacion referohet gjithashtu Vendimi i KKT-së nr. 16, datë 16.07.2025.
Qytetari kërkon që institucionet përgjegjëse të bëjnë publike dokumentacionin e plotë të lejes dhe të sqarojnë nëse projekti respekton PDV-në, intensitetin e lejuar, koeficientin e shfrytëzimit të territorit, numrin maksimal të kateve dhe distancat ligjore nga objektet përreth.
Shqetësimi lidhet edhe me ndikimin që një objekt i këtyre përmasave mund të ketë mbi banorët ekzistues, veçanërisht për sa i përket ajrosjes, ndriçimit natyror, dendësisë së ndërtimit dhe reduktimit të hapësirave të përbashkëta.
Megjithatë, dokumentet dhe pretendimet e ngritura kërkojnë transparencë: sa kate lejon konkretisht PDV-ja në këtë parcelë? Si është përllogaritur gjurma e ndërtimit? A përfshihen në të sipërfaqet e kateve që dalin mbi kolonat e katit përdhe? A është respektuar intensiteti maksimal i ndërtimit dhe çfarë ka ndodhur me hapësirën publike të parashikuar fillimisht?
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



