Kunati i Manastirliut, për një muaj kapi 99% të tregut nga OSHEE
Albi Gjenerali në krye të Furnizuesit të Tregut të Lirë; OSHEE i çon 2,104 biznese, kap 99% të tregut
Albi Gjenerali, kunati i Ogerta Manastirliut, mori FTL-në dhe brenda një muaji kapi 99% të tregut me klientë që ia solli OSHEE. Pas këtij monopoli fshihet rrethi i Manastirliut, që i ka shtrirë tentakulat në çdo institucion dhe tani synon edhe Bashkinë e Tiranës, ndërsa batërdia me energjinë publike i mbush xhepat me miliona euro
Më 30 nëntor 2023, Albi Gjenerali, baxhanaku i Ogerta Manastirliut, u ul në karrigen e administratorit të FTL-së dhe që nga ai moment tregu i lirë i energjisë u shndërrua në çifligun personal të tij. Një muaj më vonë, OSHEE i shtroi para 2,104 bizneseve kontratën e gatshme të FTL-së, kompanisë që drejtohet nga kunati i Manastirliut, dhe brenda pak javësh 99% e segmentit 20 kV përfundoi në duart e tij. Ky nuk është liberalizim; është një monopol i ndërtuar me klientë të gatshëm, energji të garantuar dhe mbështetjen e plotë të kompanisë shtetërore që zotëron rrjetin, faturimin dhe çdo informacion mbi bizneset shqiptare.
Tregu i lirë i energjisë në Shqipëri nisi me një ftesë zyrtare për të shkuar te kunati i Ogerta Manastirliut. OSHEE Group publikoi më 30 dhjetor 2023 listën e 2,104 subjekteve që prekeshin nga hapja e tregut dhe bashkë me listën vuri edhe kontratën e gatshme të Furnizuesit të Tregut të Lirë. Njoftimi nuk u kufizua te shpjegimi se bizneset kishin të drejtë të zgjidhnin furnizues; OSHEE i ftoi shprehimisht klientët të zgjidhnin pikërisht kompaninë e vet, atë që e drejton Albi Gjenerali, kunati i Ogerta Manastirliut.
“OSHEE Group Sh.A fton klientët e interesuar për shërbimin e furnizimit me energji elektrike për vitin 2024, të zgjedhin Furnizuesin e Tregut të Lirë si furnizuesin e tyre,” thuhej në dokumentin zyrtar. Kjo ftesë nuk ishte reklamë e thjeshtë; ishte përdorimi i autoritetit të pronarit të rrjetit për t’i çuar klientët te filiali i tij, te kompania e drejtuar nga kunati i Manastirliut. Furnizuesit privatë nuk morën listën e klientëve, nuk iu vunë kontratat para bizneseve në faqen zyrtare, nuk u ftuan kurrë nga OSHEE për të konkurruar në kushte të barabarta. Ata mbetën thjesht emra në listën e licencave, ndërsa kunati i Ogerta Manastirliut mblidhte klientët me breshëri.
Rezultati ishte brutal. Më 9 shkurt 2024, pak javë pas hapjes së tregut, OSHEE njoftoi se rreth 99% e bizneseve 20 kV furnizoheshin tashmë nga FTL. Vetë FTL deklaroi më 1 mars 2024 se më shumë se 95% e subjekteve në tregun e parregulluar furnizoheshin dhe faturoheshin prej saj. Këto shifra nuk janë pretendime të një denoncuesi anonim; janë vetë OSHEE dhe FTL që i kanë publikuar. Ato dëshmojnë se Albi Gjenerali, kunati i Ogertës, nuk hyri në treg duke konkurruar me të tjerët, por me listën e klientëve në dorë, kontratën e gatshme dhe mbështetjen e kompanisë që kontrollon rrjetin./Pamfleti
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



