‘Kur do e hapësh se plasa’, bisedat e tjera mes Ballukut dhe Berberit
“Marrëdhënia jonë ka kaluar ups and downs shumë herë”
Komunikimet e zëvendëskryeministres Belinda Balluku me ish-kreun e ARRSH, Evis Berberi, hedhin dritë mbi rihapjen e tenderit për Tunelin e Llogarasë dhe emërimin e Berberit në detyrë.
Sipas dosjes së SPAK, më 23 maj 2021, në aplikacionin e papërgjueshëm Signal Private Messenger, Balluku i shkruan Berberit, duke pyetur për statusin e tenderit pas anulimit të të parit:
Belinda Balluku (23.05.2021, 11:30): “Kur do ta hapësh Llogarane se plasa?”
Evis Berberi (23.05.2021, 22:52-22:56): “Kur të miratojë Reida formalin e DST të reja në përputhje me ndryshimet e VKM. Se varianti ynë s’ka DST tip Ste, ka thënë Arla. I kam thënë që para 10 ditësh që nuk publikojmë dot gjë pa DST. Por sa di unë, VKM nuk ishte miratuar.”
Pesë ditë më vonë, më 28 maj 2021, Balluku i shkruan Berberit përsëri, këtë herë për t’i dhënë lajmin e emërimit të tij në krye të Autoritetit Rrugor Shqiptar:
Belinda Balluku (28.05.2021, 15:03):
“I dashur Visi, marrëdhënia jonë ka kaluar ups and downs shumë here, por e rëndësishme është që unë ty të konsideroj një nga personat më të afërt. Ndryshe nga herët e tjera, këtë herë po të jap diçka nga e cila varet e ardhmja ime, e jote dhe e shumë të tjerëve që ndodhen përqark nesh. Në rast se do të dështojë në këtë detyrë të re, të siguroj që do ishte një goditje e madhe për mua dhe dështimi ka të bëjë me punët, deadlines dhe deri tek marrëdhëniet me njerëzit dhe fjalët që do qarkullojnë. Dua ta marrësh shumë seriozisht, dua të reflektosh dhe nga dita e hënë të jetë një stage i ri i jetës tënde profesionale. Hermetizëm, asnjë takim, asnjë premtim, të jesh prezent në çdo kantier, të mos marrësh vendime pa konsultim. Mos më zhgënje! Ta gëzosh, sapo e more emërimin.”
Evis Berberi (28.05.2021, 15:03):
“Faleminderit. Më ke vlerësuar gjithmonë më shumë se sa kam pasur mundësi ta kthej. Nuk do të zhgënjej, përkundrazi.”
Dosja e SPAK thekson se, pas këtij komunikimi, më 31 maj 2021, Evis Berberi u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke konfirmuar koordinimin dhe ndikimin e Ballukut në procesin e emërimit dhe, sipas SPAK, në rihapjen e tenderit për Tunelin e Llogarasë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



