E hënë, 19 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kur do të marrë fund flluska e çmimeve të ndërtimit në Shqipëri?
Lajme

Kur do të marrë fund flluska e çmimeve të ndërtimit në Shqipëri?

Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur 10 herë më shumë se paga

Rritja e pandalshme e çmimeve në ndërtim në Tiranë është kthyer në një shqetësim madhor, duke treguar qartë për një flluskë që mund të shpërthejë në të ardhmen.

Nga periudha e analizuar e ecurisë së çmimeve mesatare, rezultoi se shtrenjtimi kishte nisur që në tremujorin e parë të 2021, pas periudhës së pandemisë së Covid-19. Nga njëri tremujor te tjetri, duke nisur nga 2021, rritja mesatare e çmimeve varionte nga 1,7 deri në 6,2%. Shtrenjtimi më i lartë ishte nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2023, me 21%.

Rritja e çmimeve u analizua e ndarë në 3 zona. Shtrenjtimi më i lartë, me rreth 56%, ishte për pronat e shitura brenda Unazës së Vogël. Çmimi mesatar i shitjes së tremujorit të katërt 2023 arriti në 1,804 euro/m².

Në zonën e ish-Bllokut, çmimi mesatar i shitjes në tremujorin e katërt 2023 arriti në 2,160 euro/m². Çmimet mesatare krahasuar me tremujorin e parë 2021 u rritën me 45%. Tendencë rritëse të çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve ka pasur edhe për pronat jashtë Unazës së Vogël.

Çmimet mesatare reale në këtë zonë, deri në tremujorin e katërt 2023, arritën në 1,434 euro/m². Nga tremujori i parë 2021 në tremujorin e fundit 2023, çmimet mesatare u rritën me 38.3% edhe për pronat jashtë Unazës së Vogël.

Sipas ekspertëve, vetëm frenimi i parasë kriminale, e cila ka gjeneruar një kërkesë artificiale dhe ka mbështetur bumet ndërtimore, mund të përcaktojë kohën e mbarimit të kësaj flluske.

Treguesit kryesorë të rrezikut për flluskë, të analizuar në raportin “Rreziku global i flluskave të pasurive të paluajtshme në 2024”, përfshijnë:

•Rritje e çmimeve në përqindje të larta (si në Zyrih, Tokio dhe Majami). Në Tiranë, çmimet mesatare të apartamenteve u rritën me 41% midis 2021-2023.

•Rënie e kërkesës reale, për shkak të pamundësisë financiare të familjeve shqiptare.

•Rritje e normave të interesit, që e përkeqëson aftësinë për të përballuar blerjen e një apartamenti.

Disbalanca midis pagave dhe çmimeve të apartamenteve

•Rritja e çmimeve në 9 vite (2014-2023) ka qenë rreth 400 euro/m² për apartamente, ndërsa rritja e pagave reale nuk e ka ndjekur këtë ritëm. Për shembull, një apartament 90 m² sot kushton rreth 40,000 euro më shumë se në 2014, ndërsa rritja reale e të ardhurave për të njëjtën periudhë është vetëm 3,300 euro.

•Ky disbalancë e thellë tregon një prirje të pashëndetshme të tregut, ku ndërtimi po nxitet më shumë nga kapitali kriminal sesa nga kërkesa reale.

Faktorët lokalë që ndihmojnë në krijimin e flluskës

1.Mbingopja me ndërtime: Në Tiranë ka bum lejesh ndërtimi, megjithëse kërkesa reale është në rënie. Sipas të dhënave, rreth 40% e apartamenteve mbeten bosh.

2.Emigracioni masiv: Ndërsa popullsia e re e Tiranës rritet me një ritëm të ulët (mesatarisht 3,396 banorë të rinj në vit), sipërfaqja ndërtimore e miratuar është tejet e lartë.

3.Dominimi i parasë kriminale: Fondet nga aktivitete të paligjshme kanë krijuar një kërkesë të rreme në treg, duke shtyrë çmimet drejt niveleve të paarritshme për shumicën e qytetarëve.

Kur pritet të shpërthejë flluska?

Ekspertët theksojnë se shpërthimi i një flluske në tregun e pasurive të patundshme varet nga disa faktorë:

•Rregullimi i normave të interesit, që do të ndikonte aftësinë për të marrë kredi.

•Frenimi i parasë kriminale, duke kufizuar burimet e financimit të projekteve ndërtimore.

•Tkurrja e kërkesës reale, për shkak të emigracionit dhe përkeqësimit të përballueshmërisë financiare.

Nëse autoritetet nuk ndërhyjnë për të frenuar financimin kriminal dhe për të rregulluar mekanizmat e tregut, flluska mund të vijojë të zmadhohet, duke shkaktuar më shumë dëme kur ajo eventualisht të shpërthejë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.