Kur largimi nuk është zgjedhje, por sakrificë me dhimbje
Xheni Noka
Ka disa kauza që nuk i lë pas kur kalon kufirin. Përkundrazi, i merr me vete. Shpesh mendojmë se politika matet me premtime, zgjedhje apo qeveri. Por pasojat e saj më të mëdha nuk shkruhen në lajme. Shkruhen në jetët tona.
Dhe ndërsa shoh zërat që ngrihen sot në Shqipëri, më bëhet edhe më e qartë se largimi ynë nuk ishte një rastësi. Ishte pasoja e një realiteti që vazhdon të përsëritet.
Gjithmonë kthehem te e njëjta pyetje, si një jehonë që nuk zbehet me kohën.
Nuk e di kush ishte më trim.
Unë, që u nisa drejt së panjohurës me një avion që më largonte nga gjithçka e njohur, me një valixhe plot ëndrra dhe një frikë që s’e pranoja me zë…
Apo prindërit e mi, që gjetën forcën të më përqafonin në atë çast të fundit dhe të më thoshin “ik”, duke e ditur se pas asaj dere do të kishte vetëm mungesë që rritet në heshtje.
Sepse të largohesh kërkon guxim.
Por të rrish… të mësosh ta jetosh shtëpinë me vende bosh në tavolinë, të dëgjosh mungesën në çdo dhomë, dhe prapë të buzëqeshësh që fëmija yt të mos e mbajë peshën e fajit… kjo nuk është thjesht dashuri.
Është një formë sakrifice që nuk ka emër në asnjë libër. Çdo protestë, çdo zë që ngrihet, çdo njeri që ende beson se Shqipëria mund të bëhet më e mirë, më jep një shpresë të vogël.
Që një ditë, largimi të mos jetë më sakrificë.
Të jetë zgjedhje.
Sepse askush nuk duhet të detyrohet të largohet për të gjetur një jetë të denjë.
Dhe askush nuk duhet të jetë aq trim, sa të mësojë të jetojë larg njerëzve që do më shumë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



