Kur përplasen aventurierët
Ermal Mulosmani
Pagesat e larta për të cilat flitej ishin përtej realitetit të Shqipërisë. E njohur është deklarata e Adi Krastës në ato kohë: “Oferta financiare ishte e paturpshme”!
Shumë emra të mirënjohur të medias filluan të kalonin në ekranin e ri e llamburitës. Përveç Krastës shkuan një e nga një edhe Fatos Lubonja, Sonila Meço, Andi Bejtja, Sajmir Kodra, Gentian Zeneli (kaq më bien ndër mend tani por ka edhe të tjerë). Konkurentët filluan të dridheshin. Emrat më me peshë të tyre, përmes ofertave të Agon-it, rritën pagesat në televizionet ku punonin…

Nuk mbaronte këtu historia, madje këtu fillonte. Regjisorët, montazhierët, kameramanët, grafistët, të gjithë filluan të ëndërronin Agon Channel! Më të mirët shkuan atje me paga dy a tre herë më të mëdha sesa kishin tek Televizionet ku kishin punuar më parë.

Ishte një situatë sureale! Të gjithë kundërshtarët dhe ata që nuk ishin pjesë e kësaj kompanie e kishin zili këtë parajsë kushtesh dhe pagesash.

Po kush ishte Francesco Beccheti, ky aventurier mediatik, që ftonte Nicole Kidmanin në ceremoninë hapëse të Agon Channel dhe emrat më të njohur të showbiz-it të Italisë i silleshin si të ishin vartës të dorës së dytë?
Karakterin e tij më mirë sesa thashethemet e Shqipërisë e gjejmë në karrierën paralele të tij, si pronar i Leyton Orient (LO), klub futbolli i kategorisë së tretë në Angli.
Leyton Orient është një klubet më të vjetër të futbollit në Angli. Ai ka një histroi 136 vjeçare dhe u ble nga Beccheti në Korrik 2014. Leyton ishte në ditët më të mira të veta, sapo kishte humbur ndeshjen e play-off ndaj Rotherham për tu bërë pjesë e Championship (kategoria e dytë e Anglisë) me shpresën se vitin e ardhshëm do të bëheshin pjesë e kësaj kategorie pasi “kishin gjetur pronarin e duhur”. Kështu e përshkruante pronari paraardhës blerësin 5 milion dollarësh të LO.

Por karriera e Becchetit në LO ishte një rënie e lirë. Nga ekipi që pretendonte të ngjitej në ligën e dytë të futbollit anglez në Qershor 2014 (Championship), në fund të sezonit të parë të Becchetit, LO zbriti në kategorinë e katërt (League TWO)!
Vendimet kontraverse të pronarit ishin disa por këtu po përmend vetëm katër:
- Emëroi si Drejtor sportiv të ekipit një vartës të tij në Agon Channel që nuk kishte lidhje me futbollin.
- Në ndeshjen ndaj Portsmooth, Beccheti futet në fushë sapo mbaron ndeshja dhe godet me shkelm një nga futbollistët e tij. Federata angleze e dënon me 6 ndeshje larg stadiumit.
- Futbollistin që e godet, Andy Hessenthaler, 8 muaj më vonë e emëron trajner të ekipit!
- Vendimi më qesharak i tij, padyshim, ka qenë vendimi për të pranuar si anëtar të Leyton Orient, fituesin e një reality show që bëhej në Itali dhe transmetohej në Agon Channel! Reality nuk u bë kurrë dhe klubi nuk nënshkroi… Por, mbeti në histori e LO si oferta më qesharake që mund të bëjë një pronar klubi.
Me pak fjalë, në më pak se 3 vjet, Francesco Beccheti, e zbriti LO nga pretendente për në kategoria e dytë (Championship) në kategorinë e pestë (Conferencë).
Blerja e LO nga Dankin Donuts, në ditën më të zezë të historisë 136 vjeçare të klubit, konsiderohet si fitorja më e rëndësishme në këtë histori.
Ky është versioni anglez i Francesco Becchetit. Tani të kalojmë në konfliktin shqiptar me Kryeministrin Rama dhe qeverinë shqiptare.
Diku nga mesi i vitit 2015, një grup hetimi ka zbuluar që, në Hidrocentralin e Kalivaçit, Beccheti ka bërë evzaion fiskal dhe pastrim parash përmes dy kompanive të veta “Energy” dhe “KGE”. Prokurorët deklaruan që evazioni fiskal i vërtetuar është 770,000 milion lekë (afër 6 milion euro). Gjithashtu, prokurorët e akuzuan pronarin e Agon Channel që ka paraqitur fatura për digën e Hidrocentralit të Kalivaçit në vlerën 3,4 milion Euro ndërkohë që aty nuk kishte digë fare!
Dukej sikur çështja ishte kopsitur mirë. Pas kësaj qeveria mori vendimin për arrestimin e Becchetit dhe konfiskimin e pasurive të tij, ndërmjet të tjerave edhe Agon Channel.
Administrimin e pasurive të tij e bënte shteti.
Në këtë kohë Beccheti ishte i zënë me LO rënien nga kategoria, trajnerët e nuk e kishte fort mendjen për punë Shqipërie. Me gjasë u mërzit më shumë pse u anulua ai realty që do e bënte futbollist profesionist fituesin.
Mediat konkurente morën frymë të lumtura, nja 300 profesionistë u hodhën në rrugë dhe filluan t’i kërkonin pagat e prapambetura administratorit të ri të Agon-it, shtetit shqiptar.
Por ky i fundit veç qeshte…Si konkurentët.
U tha në atë kohë që Beccheti është i zoti veç për një gjë, ka avokatët më të zotë dhe fiton çdo çështje në arbitrazh. Madje, u soll si shembull edhe fitorja e tij ndaj Enel Power në Gjykatën e Romës. Të punësuarit e tij ishin të sigurtë që ky vendimi i Qeverisë Shqiptare do ishte një burim i mirë fitimi për pronarin aventurier të tyre.
Dhe siç duket paskan pasë të drejtë! Gjykata e Arbitrazhit ndërkombëtar i ka dhënë të drejtë Becchetit dhe ka detyruar shtetin shqiptar ti paguajë 110 milionë Euro!
Që do ta paguajnë 2,800,000 shqiptarë. I bie që çdo familje 5 anëtarëshe të paguajë rreth 150 Euro. 150 Euro duhet të paguajë, mesatarisht, çdo familje qoftë ajo në Dragobi, Macukull ose Hotolisht. Për të rimëkëmbur financiarisht kushedi se çfarë klub futbolli në kushedi se çfarë divizioni në Angli. Ose për të hapur një televizion glamour në Azi ku do të ftohet edhe Leo Messi në ceremoninë hapëse. Pse jo, para ka boll.
Ndërkohë mu kujtua Valbona e bukur, shtojzovallja e bjeshkëve, muza e poetëve, emri më i përmendur i vajzave shqiptare. Vendimi i dënimit më vdekje të Valbonës së bukur u dha nga Qeveria e Sali Berishës në ditët kur po jepte shpirt, në Gusht 2013. Një malësor e dhunoi malësinë me këtë vendim.
U ngrit i madh e i vogël për ta mbrojtur. U bënë peticione gjyqe, lutje, kërkesa… “I nderuar kryeministër, të lutem pengoje barbarinë mbi lumin, mbi bukurinë”
Përgjigjja ishte e ftohtë, matematike, prej noteri :”Vendimi i Hidrocentareve mbi Valbonë është dhënë nga Sali Berisha. Çdo anulim i atij vendimi na çon në gjyqe ndërkombëtare me humbje kolosale”! Dukej që po e shijonte armiqësinë e malësorëve me Sali Berishën. Me të drejtë në fakt…
Por, zoti Kryeministër, më mirë të anuloje hidrocentralet e të humbje gjyqin e Valbonës. Të paktën ishe nisur nga qëllimet më të larta dhe do dilje si mbrojtës i natyrës.
Por tani humbëm Valbonën dhe 110 milion Euro. Për përplasjen e brirëve të dy aventurierëve! Dhe duhet thënë që Beccheti i paska pasë më të fortë zoti Kryeministër…
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



