Kush e pengon ngritjen e Gjykatës Kushtetuese?
Aktualisht Gjykata Kushtetuese është e përbërë nga vetëm 4 anëtarë: Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferrllari dhe Fiona Papajorgji.Aktualisht, në procedurë për t’u plotësuar janë edhe 3 vakanca. Për vakancën e lënë bosh nga Besnik Muçi, që përzgjedhja i takon Presidentit Meta, nga procesi filtrues që bëri Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, u kualifikua vetëm Sonila Bejte.
Por që Presidenti të ketë mundësi për të vendosur për plotësimin e kësaj vakance, atij minimalisht KED-ja duhet t’i çojë tri kandidatura të renditura në bazë të pikëzimit. Ndërkohë dy vakancat e tjera, njëra i takon Parlamentit si e treta, pas dy të parave që i votoi vitin e shkuar dhe tjetra Presidentit si emri i tretë që ka në dispozicion. Edhe për këto dy të fundit, Presidenti dhe Kuvendi i kanë shpallur listën e aplikantëve që kanë shprehur dëshirën për të plotësuar vakancat në Gjykatën Kushtetuese.
Për këto të fundit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është duke kryer procedurat e filtrimit të tyre në drejtim të aftësive profesionale, por edhe pastërtisë së figurës. Por do të mbetet për t’u parë nëse të gjithë kandidatët që kanë shprehur interesin për këto dy vakanca do të verifikohen tërësisht nga përbërja aktuale e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, pasi ky i fundit e përfundon mandatin në mbyllje të 2020-ës. Nga ana tjetër, brenda pak javësh do të hidhet edhe shorti për përbërjen e re të KED-së të vitit të ardhshëm.
Nga Gjykata Kushtetuese janë dërguar emrat e 4 kandidatëve që do të marrin pjesë në short. Lista e dërguar nga Gjykata Kushtetuese në Presidencë përbëhet nga Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferrllari dhe Fiona Papajorgji. Sakaq, vlen të theksohet se edhe pasi të përmbyllet procesi i plotësimi i 3 vakancave që i kanë mbetur Presidentit dhe Kuvendit, do të jenë sërish tri vende të tjera që do duhet të plotësohen në Gjykatën Kushtetuese. Këto tre emra do të vijnë nga Gjykata e Lartë, pasi vetë kjo e fundit të plotësohet me 15 anëtarë, pasi aktualisht gjithashtu është jofunksionale.
Ndërkohë, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës iu bëri thirrje edhe njëherë Presidentit, Kuvendit dhe institucioneve të drejtësisë të respektojnë afatin e caktuar deri në fund të vitit për bërjen funksionale Gjykatën Kushtetuese.
Diplomatja amerikane falënderoi dhe KED për përzgjedhjen e kandidatëve të duhur për këtë institucion të rëndësishëm të drejtësisë.
“Është pozitive të shohësh progres për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese deri në fund të këtij viti. Kanë mbetur edhe 6 javë. Presidenca, Parlamenti dhe institucionet e drejtësisë duhet të vazhdojnë të punojnë me urgjencë. Mirënjohje KED për sigurimin e kandidatëve të kualifikuar. Udhëheqësit duhet të përmbushin premtimin ndaj popullit të Shqipërisë për drejtësi”, shkruan Yuri Kim.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



