E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush është Altin Ndoci, lidhja e tij me botën e krimit
Lajme

Kush është Altin Ndoci, lidhja e tij me botën e krimit

U arratis nga spitali i Durrësit gjatë mjekimit

Policia nuk e ndalon dot

Altin Ndoci, i dënuar nga SPAK për përfshirje në katër vrasje të rënda, është arratisur nga Spitali Rajonal i Durrësit, ku ndodhej i shtruar për trajtim mjekësor në repartin e Infektivit.

Sipas informacioneve zyrtare, Ndoci ishte transferuar nga institucioni i vuajtjes së dënimit drejt spitalit për shkak të problemeve shëndetësore dhe duhej të mbahej nën shoqërimin e Policisë së Burgjeve gjatë gjithë kohës së mjekimit. Megjithatë, rrethanat konkrete se si ai ka arritur të largohet nga ambientet spitalore mbeten ende të paqarta dhe janë objekt hetimi.

Pas arratisjes, të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit janë vënë në lëvizje. Janë ngritur pika kontrolli, po kryhen kërkime intensive në terren dhe po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur mënyrën e largimit dhe për të lokalizuar të arratisurin.

Ndoci u arrestua pas një hetimi të thelluar që nisi nga dëshmia e bashkëpunëtorit të drejtësisë, 22-vjeçarit K.A., rrëfim që çoi në zbulimin e një grupi kriminal me origjinë nga Puka, i dyshuar për trafik narkotikësh dhe grabitje të armatosura në Durrës, Fier dhe Tiranë. Fillimisht u arrestua A.K., i identifikuar përmes gjurmëve të gishtave dhe njollave të gjakut të gjetura në një automjet tip “Toyota” të braktisur nga autorët.

Pas bashkëpunimit me organet hetimore, dëshmitari dha detaje të plota mbi vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia në Durrës, si edhe mbi ekzekutimin e Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdisë më 2 mars 2020. Në bazë të këtyre deklarimeve, policia arrestoi Altin Ndocin në Tiranë, ndërsa katër persona të tjerë u shpallën në kërkim, të dyshuar për përfshirje në katër vrasje të ndodhura brenda një periudhe më pak se dy mujore.

Mediat bëjnë me dije se Ndoci kishte njohje të mëparshme me vëllezërit Haxhia, lidhje që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal dhe faktin se të gjithë ishin nga e njëjta zonë, ajo e Pukës. Ai rezulton gjithashtu të ketë pasur lidhje shoqërore me Arben Muçon, i arrestuar në vitin 2018 në Fier për tentativë grabitjeje me armë dhe për tentativë vrasjeje ndaj efektivëve të policisë, ngjarje gjatë së cilës mbeti i vrarë 20-vjeçari Xhuljan Sollaku.

Aktualisht, autoritetet po hetojnë edhe përgjegjësitë institucionale që mund të kenë çuar në këtë arratisje, ndërsa kërkimet për kapjen e Altin Ndocit vijojnë pa ndërprerje.

Reagimi i Drejtorisë së Burgjeve:

Paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore.

Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e Infektivit, i cili është i pajisur me ambiente të posaçme sigurie për të dënuarit.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, shtetasi Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.

Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.