E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Kush është Robert Peçi, anëtari  i  “Poter-Al”  që iu sekuestrua pasuria 20 mln euro!
Publik News

Kush është Robert Peçi, anëtari i “Poter-Al” që iu sekuestrua pasuria 20 mln euro!

Si u zbulua një prej organizatave të para mafioze që vepronin mes Shqipërisë dhe Europës

Në vitin 2006 do të hidhej dritë mbi një organizatë kriminale që merrej me trafikun e drogës. Bazë kishin Shqipërinë, ndërkohë që prej këtu realizohej shpërndarja e drogës në vendet e Europës.

Kokaina thuhej se vinte nga Holanda, që më pas të përpunohej dhe nisej drejt Italisë, ndërsa heroina që vinte nga Turqia, sërish kalonte për në Perëndim, nëpërmjet Italisë. Asokohe ishin italianët e Antimafies që ranë në gjurmët e një grupi që funksiononte krejt si organizatat e tyre mafioze. Ishte një person që drejtonte dhe që nuk lejonte që anëtarët e grupit të njiheshin me njëritjetrin, por secili do të bënte skuadrën e vet që të hidhej në terren.

Policia shqiptare asokohe vuri në pranga një pjesë prej tyre. E quajti operacionin “Poter-Al”, por anëtarët e kësaj organizate kriminale vijuan për vite e vite të lëviznin nëpër Europë. Më i fundit ra në pranga në vitin 2019 në Spanjë, ndërkohë që ai grup kriminal prodhoi veç të tjerash edhe vrasje mes anëtarëve, dy prej të cilëve u vranë brenda një harku kohor të shkurtër, për shkak se ishte krijuar ideja se dikush nga grupi kishte tradhtuar. Anëtarët e gjallë të këtij grupi kriminal u bënë objekte të OFL-së për shkak të pasurisë së tyre, i fundit i zbuluar ditën e mërkurë, kur Policia e Tiranës ndërhyri për të mundësuar sekuestron preventive të një sërë pasurish që pretendohet se i ati i tij i ka nga aktiviteti i hershëm i të birit. Prokuroria e Tiranës, SPAK e Policia e Tiranës dolën tri herë në deklaratë për pasuritë e këtij personi, i cili në kohën e funksionimit të organizatës kriminale “Poter-al” ishte një 20- vjeçar.

KUSH ËSHTË PERSONI QË IU SEKUESTRUA PASURIA?

Robert Peçi është 39- vjeçari të cilit i janë sekuestruar 2 milionë euro pasuri të dyshuara që i ka vënë në sajë të aktivitetit kriminal të drogës në Shqipëri dhe në vendet e Perëndimit. Prokuroria e Tiranës bën me dije se Peçit i janë sekuestruar me kërkesë të prokurorisë 13 pasuri, prej të cilave 6 janë apartamente, tri garazhe, një arë me sipërfaqe 6800 m2 në Valarë të Gjirokastrës dhe tri automjete të markave “Range Rover Sport”, “Hyundai” dhe “Audi Q5”.

Apartamentet dhe garazhet në pronësi të Peçit ndodhen në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Peçi rezulton i dënuar në vitin 2009 me 7 vite burg nga ish-Gjykata për Krime të Rënda. Në atë kohë, pas operacionit “Poter-Al”, gjykata dënoi me 63 vite burg 6 të pandehurit e grupit kriminal. Përkatësisht u dënua me 16 vite burgim Ilir Koçiaj, i njohur si kreu i grupit. Xhiljano Xhoxhi u dënua me 10 vjet burg dhe me po aq vite u dënuan edhe tre të pandehurit e tjerë, Vangjel Kondili, Ervin Tavanxhi dhe Kozma Laçka.

Për të fundin e grupit, Robert Peçi, Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin me 7 vite burg. Të pandehurit u dënuan për trafikun e heroinës dhe kokainës në pesë shtete, duke përdorur korrierë të huaj. Ata ranë në pranga më 23 maj të vitit 2006. Nga hetimet rezultoi se kokaina merrej kryesisht në Holandë dhe më pas, në rrugë tokësore, dërgohej në Francë dhe Itali. Ndërkohë, heroina merrej kryesisht në Turqi dhe nëpërmjet Shqipërisë dërgohej në Itali. Gjithashtu, Robert Peçi rezulton të jetë arrestuar në 2018-ën nga autoritetet policore angleze për trafik të narkotikëve.

 LISTA E PASURIVE TË SEKUESTRUARA
•Pasuria e llojit arë me sip. 6800 m2, në emër të shtetasit A. P., babai i subjekti të hetimit, e cila ndodhet në Valarë, Gjirokastër.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 67.25 m2, ne emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit garazh me sipërfaqe 17.5 m2, në emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit garazh me sipërfaqe 17.5 m2, e cila është regjistruar në emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 93.38 m2, në emër të shtetasit A.P, babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 48.6 m2, në emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit garazh me sipërfaqe 17.78 m2, në emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 105 m2, në emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit, e ndodhur në Tiranë, Komuna e Parisit.
•Pasuria e llojit apartament me sipërfaqe 58.42 m2, në emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit, e cila ndodhet në Tiranë, Komuna e Parisit.
•Pasuri e llojit apartament me sipërfaqe 53 m2, në emër të shtetasit A. P., babai i subjektit të hetimit, e ndodhur në Yzberisht.
•3 automjete të markave “Range Rover Sport”, “Hyundai” ngjyrë gri dhe “Audi Q5” tipi 8, në pronësi të shtetasit R. P.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.