Kush janë 4 pretendentët më pranë drejtimit të BKH
Sipas këtij Komisioni, kandidatët Aida Veizaj, Artur Beu, Ervin Hodaj dhe Idajet Faskaj kanë arritur nivelin më të lartë gjatë testeve të kryera. Procesi i përzgjedhjes është monitoruar nga misione të Bashkimit Europian dhe qeverisë së SHBA-së. Të katër pretendentët që po i afrohen më pranë drejtimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit vijnë nga radhët e Policisë së Shtetit, me karrierë të gjatë dhe në role drejtuese.
I vetmi prokuror që ishte në këtë garë u përjashtua pas intervistave të kryera në datat 26 dhe 27 shkurt, ashtu si u skualifikuan dhe 3 kandidatët e tjerë, që po ashtu ishin nga radhët e Policisë së Shtetit.
“Komisioni i Përzgjedhjes për drejtorin e BKH-së, në datat 26 dhe 27 shkurt 2020 zhvilloi intervistat e strukturuara me 8 (tetë) kandidatët e përzgjedhur deri në këtë fazë, në praninë e Komisionit të Pavarur të Rishikimit (Komision me përfaqësues nga misionet e BE-së dhe Qeverisë së SHBAsë). Çdo kandidat u intervistua duke përdorur të njëjtën metodë intervistimi, të miratuar më parë nga Komisioni i Përzgjedhjes. Rezultatet e vlerësimit të intervistave iu shtuan rezultateve të mëparshme të kandidatëve. Në përfundim, Komisioni i Përzgjedhjes përzgjodhi 4 (katër) kandidatët më të mirë deri në këtë moment, të cilët do t’i nënshtrohen fazës përfundimtare të verifikimit”, njoftoi dje kreu i SPAK-ut.
Tashmë 4 kandidatët do të kalojnë në fazën e verifikimit përfundimtar të pasurisë dhe figurës dhe emrat do t’i propozohen Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili më pas do të bëjë dhe emërimin.
KREU I BYROSË
Ligji i ka dhënë një rol shumë të rëndësishëm drejtuesit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, që është një nga institucionet më të rëndësishme të Reformës në Drejtësi. Funksionimi i Byrosë do të bëhet në bazë të një rregulloreje të krijuar nga drejtuesi në bashkëpunim me kreun e SPAKut, si njësia hetimore e kësaj Strukture.
“Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit është përgjegjës për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Byroja Kombëtare e Hetimit është një strukturë e specializuar e Policisë Gjyqësore, që vepron vetëm nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Drejtori, zëvendësdrejtori dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit gëzojnë statusin e oficerit të Policisë Gjyqësore. Organizimi i brendshëm i Byrosë Kombëtare të Hetimit rregullohet nga urdhri i përbashkët i drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme”, parashikon ligji.
PËRZGJEDHJA
Nga 40 kandidatë që ishin në fillim në garën për të drejtuar Byronë Kombëtare të Hetimit, vetëm 8 prej tyre arritën të kalonin me sukses fazat e tjera, të cilat kishin të bënin me testet fizike, shëndetësore, teste me shkrim për njohuritë në krijimin e raporteve. Në përfundim të këtyre testeve, me anë të një njoftimi zyrtar, SPAK-u njoftoi se ishin përzgjedhur 8 kandidatë për testin e së vërtetës dhe intervistimin. Gjatë intervistave të kryera, kandidatët iu përgjigjën pyetjeve për format e hetimit ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



