Kush janë futbollistët e tjerë që kanë investuar në Shqipëri
Nga Lorik Cana tek Igli Tare, Uzuni nuk është rasti i vetëm
Gjergj Stefa ka komentuar akuzat që qarkullojnë ndaj futbollistit Myrto Uzuni, lidhur me pretendimet për pastrim parash pas investimit të tij në një hotel në Palasë.
Sipas Stefës, investimi i Uzunit nuk është një rast i veçuar, pasi edhe shumë futbollistë të tjerë, si ish-lojtarë ashtu edhe aktivë, kanë investuar ndër vite në pasuri të paluajtshme apo biznese në Shqipëri dhe jashtë saj. Ai theksoi se të ardhurat e larta të sportistëve profesionistë e bëjnë plotësisht të ligjshëm dhe të kuptueshëm angazhimin e tyre në investime të tilla.
Stefa sqaroi në emisionin “Mega Sport” se Uzuni ka prenotuar një godinë në zonën e Palasës, mes Green Coast dhe Drimadhes, e cila në përfundim të projektit pritet të ketë një vlerë rreth 3.2 milionë euro. Duke marrë parasysh faktin se futbollisti paguhet rreth 1.6 milionë euro për sezon, investimi, sipas tij, nuk përbën asnjë anomali.
Ai solli gjithashtu shembuj të tjerë të njohur në botën e futbollit shqiptar, duke përmendur investimet e Lorik Canës në zonën e Rrugicës së Salës, projektet ndërtimore të familjes Tare në zonën e Zogut të Zi, angazhimin e Altin Lalës në biznese dhe restorante brenda dhe jashtë vendit, si dhe investimet e familjes Bogdani në pasuri të paluajtshme në Tiranë.
Sipas Stefës, këto investime janë një praktikë e zakonshme dhe normale për sportistët që kanë ndërtuar karrierë të suksesshme dhe kanë të ardhura të konsiderueshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



