Kushtetuesja rrëzon partitë e vogla!
Legjitimon pazarin Rama-Berisha për Kodin Zgjedhor
Gjykata nuk pranon kërkesën e partive të vogla për të rrëzuar Kodin Zgjedhor dhe hapur listat e deputetëve…
Gjykata Kushtetuese ka legjitimuar paktin Rama-Berisha për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. PS dhe PD ranë dakord për të hapur pjesërisht listat, një manovër kjo që ngjalli shumë debat. Kjo pasi hapja e listave është sa për sy e faqe, pasi shumicën e deputetëve e përcaktojnë kryetarët.
Për këtë arsye, një grup partish ju drejtuan Gjykatës Kushtetuese. Ato kërkuan shfuqizimin e neneve 67 dhe 163, pikat 2 dhe 3 të Kodit Zgjedhor. Nenet kanë të bëjnë pikërisht me përcaktimin e ndarjes së kandidatëve me dy lista, një e hapur dhe një e mbyllur. Në padi specifikohej se deputetët duhet të vendosen nga qytetarët, jo partitë, pra duke kërkuar lista të hapura. Mirëpo mësohet se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar padinë e tyre, duke legjitimuar pazarin PS-PD.
Konkretisht forcat politike që bënë ankimimin janë partia “Lëvizja për Zhvillim Kombëtar”, organizata “Shqipëria Bëhet”, partia “Nisma Thurje”, Lulzim Basha, Orjola Pampuri, Merita Bakiu, Gëzim Ademaj, partia “Aleanca Demokracia e Re”, partia “Lëvizja Demokratike për Ndryshim”, partia “Kombëtare Konservatore”.
Më herët, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi e quajti iniciativën e tyre përmes ankimimit në Kushtetuese si të domosdoshme për demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
“Ky ligj që është sot i ka të gjithë elementët për të qenë kushtetues. Ju mund ta kaloni, por dhe mund ta ndryshoni. Unë them se Gjykata Kushtetuese duhet të shkojë në thelb të ligjit. Mazhorancat kanë të drejtën e vet të bëjnë ligje. Në këtë rast kemi një marrëveshjes mes dy mazhorancave, PD e PS, por Gjykata Kushtetuese nuk është thjesht për të mbrojtur mazhorancën apo për t’i dhënë të drejtë, por për të mbrojtur minorancën. Kështu garantohen të gjithë palët. Edhe zotërinjtë e dy palëve të mazhorancës që kanë bërë këtë marrëveshje që është kthyer me ligj të ruajnë të drejtat e veta që kanë pretenduar por dhe pjesa tjetër e shqiptarëve që mendojnë për ndryshim të kenë mundësi të marrin të drejtat e veta. Kanë bërë një gardh, kanë rrethuar kundërshtarët e vet që t’ia bëjnë të pamundur të konkurrojnë politikisht”, tha Shehi.
Nga ana tjetër Adriatik Lapaj, nga “Shqipëria Bëhet” tha se cenohet e drejta e shtetasit për ta trajtuar votën e tij si të barabartë dhe për të zgjedhur ata që realisht dëshiron.
“Këtu në jemi për të diskutuar a cenohen parimet kushtetuese nga ndryshimet e Kodit Zgjedhor. A ka mundësi që në vendin tonë bazuar në këtë ligj të ketë rrotacion politik të shëndetshëm. Kushtetuta në përcaktimin e vet parashikon që jo më pa se 2/3 e listës duhet të jetë të hapur. Kushtetuta në përcaktimin e vet mbylljen e listës nuk e përcakton si detyrim por e lë si opsionale. Qytetarët mund të zgjedhin ose jo të aderojnë në një parti politike, ligji themelor i partive politike është statuti i vet”, tha Lapaj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



