“Lali jemi me ty” – Artistët dhe servilizmi pa kufij

Arrestimi i Erion Veliajt duket se nuk ka tronditur vetëm skenën politike shqiptare, por ka mobilizuar edhe një valë mbështetjeje të pazakontë nga figura publike dhe personazhe të njohur të ekranit. Në një kor të sinkronizuar dhe aspak të natyrshëm, këngëtarë, aktorë, prezantues e ish-konkurrentë të reality show-ve kanë nxituar të shfaqin solidaritetin e tyre publik me sloganin e famshëm: “Lali jemi me ty”.
Në këtë paradë mbështetjeje, emra të njohur si Jonida Maliqi, Klea Huta, Arbana Osmani, Çiljeta Xhilaga, Monika Lubonja, Landi nga
Westside Family dhe të tjerë kanë lënë komente emocionalisht të ngarkuara në rrjetet sociale, duke e kthyer këtë situatë në një spektakël të lëpirjes publike që të lë pa fjalë.
Servilizmi i sofistikuar apo frika për të humbur privilegjet?
Është legjitime të pyesim: Pse gjithë kjo dashuri për një kryebashkiak në telashe me drejtësinë? Për një pjesë të mirë të këtyre “artistëve”, Veliaj është më shumë se thjesht një figurë politike — ai është dera e hapur për projekte, mbështetje financiare dhe privilegje personale. Nga festivale të sponsorizuara nga bashkia deri te ftesat VIP në ngjarje të organizuara me paratë e taksapaguesve, shumë nga këta emra kanë përfituar nga ky sistem në mënyrë direkte apo indirekte.
Kështu, në vend që të distancohen nga një çështje që përfshin akuza të rënda për abuzim me pushtetin dhe intimidim të drejtësisë, ata zgjedhin të rreshtohen përkrah atij që deri dje u siguronte vëmendjen dhe promovimin publik.
Hipokrizia në artin shqiptar
Artistët duhet të jenë zëri kritik i shoqërisë, ata që sfidojnë pushtetin dhe qëndrojnë përballë padrejtësisë. Por në Shqipëri, gjithçka duket të funksionojë ndryshe. Kur dikush qëndron para drejtësisë për akuza serioze, një pjesë e mirë e artistëve nuk reagojnë për të kërkuar transparencë, por për t’u rreshtuar në anën e më të fuqishmit, duke shpresuar që karriera e tyre të mos pësojë ndonjë goditje.
“Lali jemi me ty” – Një histori për të qeshur e për të qarë
Ndërkohë që qytetarët e thjeshtë presin zbardhjen e të vërtetës për akuzat e rënda që rëndojnë mbi Veliajn, personazhet publike zgjedhin rolin e tifozëve besnikë, duke shpërndarë mesazhe që tingëllojnë më shumë si një akt mbrojtjeje ndaj vetes, sesa ndaj një miku të ngushtë. Këngëtaret, aktoret dhe prezantuesit, me një sinqeritet të dyshimtë, i drejtohen rrjeteve sociale për të shfaqur një solidaritet që bie në sy më shumë si një akt i mirëfilltë marketingu personal.
Ku janë artistët e vërtetë?
Në këtë situatë, mungon zëri i artistëve të pavarur, atyre që nuk kanë interesa të lidhura me pushtetin dhe që kanë kurajën të flasin për të vërtetën, pavarësisht rrezikut që mund të mbajnë mbi supe. Nëse artistët do të bënin detyrën e tyre morale e shoqërore, ndoshta Shqipëria nuk do të ishte sot në këtë gjendje të degradimit institucional.
“Lali jemi me ty” – Thjesht një fazë kalimtare
Sipas skenarëve politikë, këta “artistë” që sot thonë “Jemi me ty”, janë të njëjtët që nesër do të harrojnë këtë mbështetje dhe do të vazhdojnë jetën sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ata që u shfaqën si mbrojtës të zjarrtë, do të rikthehen te koncertet e financuara nga kushdo që është në pushtet, pa asnjë reflektim mbi moralin apo përgjegjësinë e tyre publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



