E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Largimi  i dy gazetarëve dhe  heshtja në media po bëhet sistem
Denoncime

Largimi i dy gazetarëve dhe heshtja në media po bëhet sistem

 

Largimi i gazetarëve Alba Alishani dhe Erion Dushi nga televizioni A2 CNN nuk është thjesht një ndryshim stafi, por një simptomë e një sëmundjeje më të thellë që po gërryen gazetarinë në Shqipëri. Asnjë arsye nuk u dha publikisht. Asnjë sqarim. Asnjë transparencë. Por në këtë vend, kur heshtet, zakonisht është sepse dikush e ka urdhëruar heshtjen.

Fatkeqësisht, nuk është hera e parë. Dhe nuk do të jetë as e fundit, për aq kohë sa mediat do të mbeten në duart e pronarëve që i shërbejnë pushtetit, jo publikut. Për aq kohë sa redaksitë do të kontrollohen nga interesa ekonomike që diktojnë lajmin, censurojnë të vërtetën dhe penalizojnë guximin.

Rasti i A2 CNN është ilustrues. Pronari  Bashkim Ulaj, është mik i qeverisë dhe përfitues i projekteve më të shtrenjta dhe më të dëmshme për vendin.

Kjo është arsyeja pse nuk u transmetuan protestat për tokën në Rrjoll, denoncimet për HEC-et në Valbonë, aferat me koncesionin e Thumanë-Kasharit apo zaptimin e liqenit të Tiranës. Sepse kur interesat flasin, gazetarët heshtin  ose më saktë, heshten.

Në vende të tjera, kur ndodh kjo, gazetarët ngrihen. Protestojnë. Organizohen. Nuk lejojnë që kolegët e tyre të largohen në heshtje. Në Francë, Slloveni, Gjermani  solidariteti është forcë. Në Shqipëri, fatkeqësisht, është ende një luks i munguar.

Por koha po vjen. Dhe ka ardhur dita që edhe gazetarët shqiptarë të thonë mjaft. Të organizohen. Të kërkojnë mbrojtje nga vetja e tyre kolektive, jo nga ndonjë pronar, redaktor apo politikan.

Gazetaria nuk është pronë private. Është shërbim publik. Dhe kush e bën, duhet të ketë guximin dhe mbështetjen për ta bërë me integritet.

Largimi i dy gazetarëve nuk është fundi i botës. Por është një kujtesë e dhimbshme se sa lehtë zëvendësohet e vërteta me propagandën, kur media nuk ka më shpirt e as zë.

Nuk mund të ketë demokraci pa gazetarë të lirë. Dhe nuk mund të ketë gazetarë të lirë pa solidaritet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.