Largimi i shqiptarëve, Berisha shpall paketën kundër shpopullimit
1 deri 5 mijë euro për fëmijë dhe bonuse mujore
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, prezantoi sot një platformë të quajtur “paketa kundër shpopullimit”, e cila synon të ndalojë largimin e shqiptarëve nga vendi dhe të mbështesë familjet me fëmijë.
Sipas Berishës, kjo paketë do të përfshijë pagesa të menjëhershme për lindjet e reja, që shkojnë nga 1 mijë deri në 5 mijë euro për fëmijë, si dhe bonuse mujore që variojnë nga 50 deri në 60 euro, në varësi të moshës së fëmijës.
“Fëmija i parë do të marrë 1 mijë euro, i dyti 2 mijë, i treti 3 mijë, ndërsa fëmija i katërt dhe më shumë 5 mijë euro. Për 30 mijë lindje në vit, kjo masë kërkon një fond prej 60 milionë eurosh,” tha Berisha.
Bonusi mujor për fëmijët e lindur do të jetë 50 euro për çdo fëmijë deri në moshën 6 vjeç dhe 60 euro për fëmijët nga 6 deri në 18 vjeç. Për fëmijët e tretë e më shumë, shteti do të mbulojë gjithashtu çerdhet, kopshte dhe ilaçet, duke përfshirë rimbursime deri në 120 euro në vit për çdo fëmijë.
Sipas Berishës, kjo paketë synon të mbështesë të paktën 15 mijë fëmijë në vit dhe është pjesë e një strategjie më të gjerë për të ndalur shpopullimin dhe për të inkurajuar familjet shqiptare të qëndrojnë dhe të rrisin fëmijët në vend.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



