E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
LEKSIONET E ‘PROFESOR KORONAVIRUSIT’
Publik News

LEKSIONET E ‘PROFESOR KORONAVIRUSIT’

Përveç se një armik i urryer i rracës njerëzore, një “maskara i padukshëm” gjysëm send-gjysëm gjallesë, koronavirusi e ka treguar veten edhe si një profesor autoritar!

Ai i ka dhënë gjysmës së Botës më tepër leksione sesa kushdo profesor i famshëm i kujtdo universiteti të shquar. Kjo nuk do të thotë se edhe gjysma tjetër e Botës nuk i ka hedhur një sy leksioneve të profesor koronavirusit:

Leksioni Nr. 1

Njerëz më të mirë dhe më të dashur sesa njerëzit e shtëpisë, nuk ka; njerëz që duhet t’i kesh pranë sa më gjatë, duhet t’i duash pa kushte, duhet t’u shërbesh pa u lodhur dhe pa u mërzitur kurrë. Ata janë motivi më i rëndësishëm i jetës tënde dhe ti i së tyres. Janë kuptimi i saj!

Leksioni Nr. 2

Burrat mund të mësojnë shumë shpejt të bëjnë punë shtëpie. Përveç kësaj, duke aplikuar ato që kanë mësuar këto ditë, ata më në fund arritën të kuptojnë sesa realisht lodhet ajo me të cilën ata ndajnë shtratin. Ajo që bën çdo ditë minimalisht tre punë, dy nga të cilat të papaguara dhe tjetra gjithnjë më e ulët sesa e njejta punë e një burri. Për dy të parat, fjalën e kam për punët e shtëpisë dhe kujdesi për fëmijët.

Leksioni Nr. 3

Shkollimi i fëmijve nuk është një punë aq e thjeshtë sa duket. Mësuesit janë heronj të heshtur dhe të gjithë prindërit e detyruar të mësojnë fëmijët në shtëpi, janë të mendimit që atyre u duhet rritur rroga!

Leksioni Nr. 4

Njerëzit nuk duhet ta marrin normalitetin e jetës si të mirëqenë. Me këtë rast, të gjithë kuptuam se sa pak kemi në dorë për të bërë një jetë “normale”, si të duam ne, kur të duam dhe me kë të duam. Pak pará mënjanë për një ditë të keqe duhen hequr, sepse vërtetë nuk i dihet çfarë ndodh dhe sa zgjat!

Leksioni Nr. 5

Kjo epidemi na mësoi se sa i rëndësishëm është mjeku dhe infermieri për jetën tonë, sidomos mjekët infeksionistë që luftojnë përballë armiqve të padukshëm vetëm me dijen dhe intuitën e tyre. Do ishte mirë të mos i harronim sakrificat e këtyre heronjve, të paktën emrat t’u kujtojmë, kur mendjen të na e rimarrin futbolli dhe telenovelat.

Leksioni Nr. 6

Meqë ra fjala, profesor koronavirusi na mësoi se, megjithë vuajtjet e mëdha, burrat mund të jetojnë deri në dy javë pa futboll; pas kësaj periudhe, mësohen.

Leksioni Nr. 7

“Lani duart me sapun”, këshilla më e shpeshtë që na kanë dhënë kur ishim të vegjël, funksionoi. Sa bukur do ishte sikur të gjithë ata që nuk janë infektuar vetëm nga ky gjest i thjeshtë, ta dinin atë.

Këto ishin vetëm disa nga leksionet e “profesor koronavirusit”. Jam i sigurt që secili nga ju mund të tregojë edhe të tjera mësime që kemi nxjerrë nga kjo periudhë kohore më e veçanta në jetën e gjithsecilit prej nesh. Megjithatë, leksioni më i rëndësishëm, ai që është kuptuar e pranuar nga të gjithë, në të gjithë Botën, është ky:

Leksioni Nr. 8

“Pas kësaj, jeta do të jetë shumë më ndryshe se më parë.” Le të shpresojmë për mirë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.