LETRA E PLOTË/ Banorët e Unazës së re i drejtohen Arta Markut: Prishja e banesave…
Banorët e Unazës së Re, shtëpitë e të cilëve rrezikohen nga shembja për t’i hapur rrugë ndërtimit të Unazës së, i kanë kërkuar Prokurores së Përgjithshme Arta Marku të nisë hetimet kryesisht për të paktën dy vepra penale: Korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Në letrën drejtues kryeprokurores Marku, banorët i cilësojnë si kriminale veprimet e zyrtarëve në Ministrinë e Infrastrukturës, Bashksisë së Tiranës, Autoritetit Rrugor dhe ALUIZNI-t.
Letra, që u firmos mbrëmë gjatë protestës në mbrojtje të shtëpive nga prishja pa dëmshpërblim, synon të vërë në lëvizje organin e akuzës për të ndaluar atë që banorët e quajnë “dëbim me forcë”.
Banorët i shpjegojnë me detaje kryeprokurores veprimet dhe mosveprimet e organeve shtetërore që nga shenjimi me kryq i shtëpive nga persona të paidentifikuar deri tek lajmërimi me gojë se banesat e tyre do të prishen për shkak të një projekti të panjohur më parë.
“Prishja e banesave dhe marrja e truallit, pa na ofruar më parë një dëmshpërblim të drejtë të dëmit që na shkaktohet, përbën veprim arbitrar të autoriteteve publike, që cenon të drejtën tonë të pronës.”- thuhet në letrën e banorëve për Arta Markun. Nëpërmjet kësaj letre, e cila vë në dijeni edhe Presidentin e Republikës, Avokaten e Popullit dhe Prokurorinë e Tiranës, banorët e Unazës së Re tregojnë me hollësi procedurën dhe hapat që ata kanë ndjekur në të kaluarën për legalizimin e tyre, duke respektuar ccdo kërkesë ligjore.
“Secili prej nesh, ka paguar tarifat e shërbimit të kërkuara nga autoritetet kompetente shqiptare, janë njoftuar nëpërmjet njoftimeve në shtypin e shkruar nga ALUIZNI që banesat tona janë kualifikuar për legalizim, është miratuar për disa raste kalimi i tyre në pronësi të subjekteve poseduese me VKM përkatëse dhe janë në fazën përfundimtare të procesit. Për pasojë, gjatë gjithë kësaj periudhe, kemi qenë në pritje të marrjes së lejes së legalizimit, duke krijuar pritshmërinë e ligjshme të trajtimit të barabartë nga ana e shtetit, jo vetëm me banorë të tjerë të zonës që i janë legalizuar banesat, por me të gjithë qytetarët që kanë qenë subjekt përfitues nga ligji i legalizimeve.”-thuhet në letrën ku i kërkohet nisje e hetimeve kryesisht Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku.
Banorët shprehin besimin se Prokuroria do të veprojë në mënyrë të shpejtë dhe të paanshme, në mbrojtje të interesit të qytetarëve.
VIDEO/ Banorët e “Unazës së Re” peticion Arta Markut: Liro të arrestuarit dhe ndalo projektin
Banorët e “Unazës së Re”kanë firmosur një peticion për t’ia dërguar kryeprokurores Arta Markut.

Në peticion, ata kanë kërkuar lirimin e personave të arrestuar gjatë protestës që ndodhi para Kuvendit. Po ashtu, kanë kërkuar ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e aksit nga sheshi Shqiponja deri të mbikalimi pranë pallatit me shigjeta (projekt ky që prek pronat e tyre).

Deri tani, në burg janë tre protestues të Unazës së Re: Dorjan Protoduari, i cili udhëhiqte protestën para Parlamentit, Ilias Sketiraj personi që tentoi të qëllojë Ramën me këpucë te Spitali i Traumës dhe Daniel Drobaj, i cili sipas prokurorisë, hodhi kapsollën që plagosi policen Ina Nuka.

***
Protesta e banorëve të Unazës së Re: “O Daniel, o hero, gjithë unaza ty të do”
Banorët e ‘Unazës së Re” janë vendosur pasditen e sotme në rrugën pranë mbikalimit të pallatit me shigjeta, në shenjë proteste për vendimin që parashikon prishjen e banesave të tyre për ndërtimin e Unazës së Madhe.
Protesta zgjati rreth 1 orë, ndërkohë protestuesit kanë deklaruar edhe njëherë se nuk do të lejojnë askënd tu prishë shtëpitë e tyre, dhe se pronën do ta mbrojnë me gjak.

“O Daniel, o hero, gjithë unaza ty të do”, ishte një nga thirrjet e përsëritura në kor të protestuesve, kushtuar 18-vjeçarit Daniel Drobaj, të arrestuar si i dyshuari që hodhi kapsollën që la të plagosur efektiven e forcave “Shqiponja” të Policisë Ina Nuka, gjatë protestës së të enjtes para parlamentit. Sot, Drobaj u la në masën e arrestit me burg nga gjykata e Tiranës.

Në protestë, ishin të pranishëm edhe deputetë të opozitës.
Deputeti demokrat, Klevis Balliu, i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që të tërhiqet nga vendimi për tu prishur shtëpitë banorëve.
“Është momenti që Rama të tërhiqet nga ky vendim korruptim. Nëse ai nuk do të tërhiqet, ai do të përballet me revoltën popullore. Dhuna e ushtruar ndaj Danielit kanë vetëm një përgjegjës dhe ai është Edvin Kristaq Rama”, deklaroi Balliu për gazetarët nga terreni.
Një prononcim tjetër, ka qenë ai i një personave të arrestuar për protestën para parlamentit, që më pas u la nga gjykata nën masën e detyrim paraqitjes.

“Kam punuar 20 vite në emigrim për të ndërtuar shtëpinë. Pa kaluar mbi trupin tim, nuk e shemb shtëpinë time. Vetëm zotit i bie në gjumë, dhe jo një njeriu që ha buke e pi ujë si puna ime. Është shumë e verifikueshme që s’kam prek asnjë polic, vetëm kam komunikuar me ata dhe i kam thënë që jam në drejtën time”, tha ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



