Lezhë/ U rrahën me shkopinjshkopinj, policia shpalli në kërkim personin e dhunuar!
Përplasje e dhunshme në Lezhë mes dy fiseve – Redjan Margjonaj dhunohet me shkopinj, Fatjon Gjini përfundon në spital
Një ngjarje e rëndë është regjistruar paraditen e sotme në qytetin e Lezhës, ku disa të rinj janë përfshirë në një përleshje të dhunshme me sende të forta, përfshirë edhe shkopinj bejsbolli. Ngjarja ka ndodhur në zonën pranë Kadastrës, dhe sipas informacioneve të siguruara nga Publik.al, konflikti është vazhdim i një përplasjeje të hershme mes dy fiseve: Gjini dhe Margjonaj.
Në pamjet ekskluzive që disponojmë, duken tre persona që sulmojnë brutalisht një tjetër të shtrirë në asfalt, i cili përpiqet të mbrohet mes goditjeve të pandërprera. Identiteti i agresorëve është zbuluar: bëhet fjalë për Fatjon Gjinaj, rreth 35 vjeç, dhe Ervin Nikaj, mbi 40 vjeç, ndërsa mes tyre ndodhej edhe një minoren, G. Prenga. Viktima e dhunës është Redjan Margjonaj, aktualisht i shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.
Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se Redjani kishte dalë për xhiro me automjetin e tij, i shoqëruar nga disa minorenë. Në një moment, disa fëmijë i janë afruar makinës së tij, të dyshuar si të dërguar nga Fatjon Gjini për të provokuar dhe ofenduar. Pas përplasjeve verbale ka shpërthyer konflikti fizik, ku Redjani është rrethuar dhe dhunuar me mjete të forta nga Fatjoni dhe Ervini.
Në përpjekje për të ndihmuar, një nga adoleshentët që ndodhej me Redjanin ka marrë makinën dhe në panik ka përplasur Fatjon Gjinajn, duke i shkaktuar këtij të fundit lëndime të rënda në kokë. Fatjoni është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës, ku është raportuar për një përplasje tjetër – kësaj here mes familjarëve të Gjinit dhe një të afërmi të Redjanit, i cili kishte shkuar gabimisht në spital duke menduar se dhe ky i fundit ndodhej atje.
Burimet shtojnë se një ditë më parë, nipi i Fatjon Gjinajt kishte dhunuar një 14-vjeçar, të afërm të Redjan Margjonajt, duke e tensionuar më tej situatën. Familjarët e Margjonajve pretendojnë se kanë depozituar disa denoncime pranë policisë lokale, por ende nuk janë marrë masa parandaluese, duke rritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm të gjakratve.
Përplasja midis këtyre dy fiseve mësohet të ketë nisur që në shtatorin e vitit të kaluar, si pasojë e një konflikti banal mes të miturve dhe është kthyer tashmë në një seri episodësh të dhunshme që rrezikojnë seriozisht sigurinë publike në qytetin e Lezhës.
Policia është vënë në ndjekje të Redjan Margjonajt dhe ka nisur hetimet për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



