Liqeni termal ‘Vrima e Kopiles’ në Leskovik
Zbulimi i Liqenit Termal në Jug të Shqipërisë: Shkencë apo Spekulim?
Një grup studiuesish çekë ka pretenduar se ka zbuluar në jug të Shqipërisë një liqen termal nëntokësor, që sipas tyre është më i madhi në botë. Lajmi u publikua të premten në mediat çeke dhe shkaktoi bujë edhe në Shqipëri.
Megjithatë, ky pretendim është hedhur poshtë nga historiani dhe eksperti i trashëgimisë kulturore, Auron Tare, i cili tha në një intervistë për Top Channel se çekët nuk janë shkencëtarë dhe se vendndodhja e liqenit është e njohur prej kohësh.
A ishte vërtet një zbulim?
Sipas Tares, grupi çek nuk është një ekip shkencor, por një grup dashamirësish të Shqipërisë që kanë marrë pjesë në ekspedita të organizuara nga studiues shqiptarë.
“Një pjesë e këtij grupi kanë qenë pjesë e një angazhimi që kemi organizuar në Leskovik. Lajmi pa elementin shqiptar nuk është korrekt. Ata nuk janë shkencëtarë, janë dashamirës të Shqipërisë, kanë punuar me ne,” – tha ai.
Më tej, Tare e quajti bujën rreth këtij lajmi një spekulim dhe e krahasoi me raste të mëparshme kur studiues të huaj kanë pretenduar “zbulime” që në fakt ishin të njohura më parë nga ekspertët vendas.
“Ka ndodhur dhe herë tjetër. Çekët bënë zhytje në një nga anijet që kisha gjetur me amerikanët dhe e dhanë si zbulimin e tyre,” – shtoi ai.
Çfarë dimë për liqenin?
Liqeni, që çekët e kanë prezantuar si një zbulim të ri, sipas Tares, ka një emër të njohur në zonë dhe quhet ‘Vrima e Kopiles’.
Sipas të dhënave të publikuara nga çekët, liqeni ka këto përmasa:
• Gjatësi: 138 metra
• Gjerësi: 42 metra
• Perimetër: 345 metra
• Vëllimi i ujit: 8,335 m³ ujë të nxehtë
Pavarësisht këtyre shifrave, debati kryesor mbetet nëse kemi të bëjmë me një zbulim të ri apo me një rast tjetër të përvetësimit të punës së studiuesve shqiptarë nga të huajt.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



