Lirohet nga burgu ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro
Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, ka lënë sot qelinë e burgut, pasi ka shlyer dënimin prej dy vitesh për akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Goro, i njohur si mik i kryeministrit Edi Rama, u dënua për tjetërsimin e pronave në zonën turistike të Dhërmiut, ku përfitues fundor rezultoi të ishte Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres së Mbrojtjes dhe aktualisht deputete e PS-së, Olta Xhaçka.
Skandali i pronave në Dhërmi
Sipas hetimeve, Goro në bashkëpunim me vartës të tij dhe zyrtarë të Kadastrës, përmes dokumenteve të falsifikuara, kaloi sipërfaqe të konsiderueshme të tokës shtet në Himarë në favor të privatëve.
Këto pasuri përfunduan në zotërim të një shoqërie të kontrolluar nga Artan Gaçi, i cili ka përfituar edhe statusin e investitorit strategjik nga qeveria.
Për këtë çështje, më 13 mars 2023, Jorgo Goro u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vite e 20 ditë burgim.
Një tjetër dosje penale
Problemet me drejtësinë për Goron nuk mbarojnë këtu. Ai është dënuar edhe në një tjetër dosje në shkallë të parë, ku u akuzua për favorizimin e Arqile Bollanos në përfitimin e një prone në Himarë.
Në këtë rast, ish-kryebashkiaku mori një dënim prej 1 viti e 4 muaj burgim (me gjykim të shkurtuar) dhe me masën shtesë të heqjes së të drejtës për të ushtruar funksione publike. Vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



