E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lista e  Ramës, si makijazhi i fundit për organizatën e tij
Publik News

Lista e Ramës, si makijazhi i fundit për organizatën e tij

8 marsi ishte edhe dita e fundit kur shqiptarët mësuan përfundimisht emrat e certifikuar nga KQZ të të gjithë kandidatëve për deputetë, të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit. Me kuriozitet dhe me interes të madh u pritën veçanërisht emrat që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste dhe bllokun opozitar PD-LSI.

Janë këta individë, të cilët do të jenë edhe fytyra e parlamentit të ri dhe se çfarë e pret Shqipërinë, në 4 vitet e ardhshme qeverisëse. Nëse tek Partia Demokratike emrat për kandidatë kaluan dhe u sitën nëpërmjet një procesi të gjatë disamujor e një testimi nga baza deri në forumet më të larta, te Rilindja kemi parë një përpëlitje të gjatë dhe një luftë herë të heshtur e herë të hapur, mes Edi Ramës dhe ndërkombëtarëve.

Si kurrë më parë, qëndrimet e ndërkombëtarëve, për të imponuar lista me kandidatë të pastër jo vetëm për sa i përket lidhjeve me krimin, por edhe korrupsionin, kanë qenë të palëkundura dhe të panegociueshme. Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim dhe homologu i saj britanik, e kanë udhëhequr këtë betejë deri në orët e fundit të dorëzimit të emrave në KQZ, pavarësisht nga lobimet dhe rezistenca e fuqishme e Edi Ramës, i cili kaloi nga replika me diplomaten e SHBA, në fyerje ndaj atij të Britanisë. Gjithashtu kryeministri u është hakërryer edhe ambasadorëve të tjerë, e madje edhe zyrtarëve të lartë të Brukselit, duke deklaruar sistematikisht, se ç’punë kanë ata me zgjedhjet apo se kandidatët mbajnë përgjegjësi individuale për të shkuarën dhe lidhjet e tyre.

E gjitha kjo ishte një tentativë e Ramës për të mbajtur statukuonë që krijoi që në zgjedhjet e vitit 2013, duke u mbështetur më së shumti te “përfaqësues të popullit”, të cilët në fakt përfaqësojnë botën e errët të krimit, apo biznese të dyshimtë që funksionojnë si shushunja të thesarit të shtetit dhe pasurive kombëtare. Por kur nuk kishte mbetur shumë kohë nga afati i fundit, 8 mars, dhe pikërisht në Bruksel, sy më sy, në mbledhjen e Këshillit të Stabilizim-Asocim, Komisioneri për Politikën e Jashtme dhe Komisioneri për Zgjerimin, Borrell dhe Varheleyi, i lëshuan ultimatumin e fundit për të mos guxuar dhe bërë më lojëra me listën e kandidatëve për deputetë.

Goditja e fundit erdhi nga ambasadorja Yuri Kim, 24 orë përpara certifikimit të listave nga KQZ, e cila rrëzoi edhe alibinë e fundit të Ramës për “përgjegjësi individuale”: Kryetarët e partive do të mbajnë direkt përgjegjësi dhe pikë- shkroi ajo. E gjithë kjo furtunë nga faktori i huaj duket se më në fund e detyroi atë që të tërhiqet. Por jo për të reflektuar, por për t’u maskuar!

Javën e fundit ai nisi një operacion estetik, duke i kryer listës së Partisë Socialiste një lifting, por pa prekur trupin korruptivo-kriminal të saj. Shoqëruar me një propagandë të paprecedentë prezantoi disa emra të rinj, nën logon e vjedhur nga partia e Koço Kokëdhimës; “deputeti që duam”. Kurse goditjen publicitare më të madhe e bëri duke rreshtuar mjeken Najada Çomo dhe inxhinieren Luljeta Bozo, si fytyrat e reja të Rilindjes nr. 3. Tani që gjithçka është mbyllur, jemi në këtë situatë: Edi Rama na paraqet si prurje të re në politikë e nesër në qeveri, Luljeta Çomon, por në parlamentin e ardhshëm do të kemi sërish Gramoz Ruçin. Një dinosaur ky që gjallon, edhe tani në shekullin 21, që nga koha e Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, ku ka shkëlqyer si Sekretar i Parë partie e ministër i Brendshëm.

Është sot “Deputeti që duam” sipas Ramës, por edhe protagonist kur diktatura shtypte dhunshëm e me gjak protesta për demokraci e vriste qindra të rinj, që kalonin kufijtë drejt perëndimit. Ka larguar Vangjush Dakon e “listës së zezë”, të Departamentit të Shtetit, por vetë ky i fundit me “Niçet” dhe gjithë administratën kriminalo-korruptive në këtë qytet, po drejtojnë me të njëjtat skema fushatën elektorale.

Thotë se nuk ka punë me Tom Doshin, por nuk është distancuar kurrë prej tij dhe partisë private, të cilën e ka aleate të ngushtë. Nëse sheh listën e Rilindjes në Shkodër, goditet një socialist tipik si Ditmar Bushati, por shumica e emrave të saj i thërrasin “shef” Tom Doshit. U detyrua të largojë në momentet e fundit Reme Lalën, por e ka mbështetur gjithë fushatën në Vlorë te Damian Gjiknuri; miku e “bashkëluftëtari” i babait të saj, Ymer Lala, me të cilin shkaktuan tërmetin e votave që zbërthehet në dosjen 184. Detyroi të largohen pa pikën e dinjitetit Vasilika Hysin, Besnik Baren e Sadi Vorpsin, por janë të padiskutueshëm në listën e deputetëve Ulsi Manja e Xhemal Qefalia, të cilët në përgjimet e BILD dalin si pazarxhinj e individë halabakë në operacionin e vjedhjes së votave, të drejtuar nga vetë “Babloku” Edi Rama. Për të mos folur për komisarin e fushatës, Taulant Balla, mik e ortak i pjesës më të errët të krimit të organizuar shqiptar, i cili falë Rilindjes funksionon si biznes i madh dhe i suksesshëm. Beteja e ndërkombëtarëve dhe retushimet e listës së Edi Ramës, në fakt nuk mund të ndryshojnë dot thelbin dhe ingranazhin e funksionimit të mafies politike me emrin ‘Rilindja’ nëpër fushata elektorale. Makijazhi është i ri, por skema mbetet e njëjta dhe tashmë e dekonspiruar: Bëj vota së bashku me krimin e organizuar për të kapur pushtet; shfrytëzo shtetin për të shpërblyer krimin e organizuar e atë ‘ekonomik’ dhe bëj pasuri.

Më pas me një pjesë të miliardave të grabitura bli zgjedhjet e radhës, për pushtetin e radhës dhe kështu pambarim! Ndaj edhe kjo listë kandidatësh për mandatin e të tretë të pretenduar prej tij, nuk kishte si të ishte tjetër gjë përveçse një makijazhi e përpëlitje e fundit për të mbrojtur organizatën e tij!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.