Luan Rama në krah të Kryemadhit në Vlorë: Janë përpjekur të na përçajnë por nuk ia kanë dalë. LSI nuk është parti emrash, por…
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është shfaqur këtë të shtunë në Vlorë në krah të Luan Ramës, kandidati që mban nr. 1 në listat e kësaj force politike në këtë qark.
Ka qenë pikërisht Luan Rama që mbajti fjalën hyrëse të takimit elektoral, ku theksoi se “sot jemi të gjithë bashkë për fitoren e LSI”-së, duke hedhur poshtë aludimet për përçarje brenda partisë.

“Vlora e bukur! Vlora e zemrës së Shqipërisë është sot këtu e gjitha e bashkuar, nën flamurin e Shqipërisë. E nderuar kryetare e LSI-së Monika Kryemadhi, mirë se ke ardhur në Vlorë! Ne jemi sot të gjithë bashkë, me zemër e me shpirt, të vendosur për fitoren e LSI-së. Jam më i emocionuari nga të gjithë. Jam sot bashkë me ju për të konfirmuar një punë të jashtëzakonshme, me pasion e vendosmëri që kemi bërë në 7 muaj për ta ringritur LSI-në nga e para me djem e vajza të mrekullueshme. Jam këtu për të konfirmuar se e gjithë lista është mishërimi i kohezionit shoqëror, dhe mbi të gjitha i pasionit për ti shërbyer Vlorës dhe Shqipërisë, vetëm me synimin që Shqipëria është e para. Jam njëri nga 12 emrat, i barabartë mes të barabartëve në listën e LSI”, tha Luan Rama.

“Na kanë sulmuar, na kanë përgojuar, janë përpjekur të na poshtërojnë e përçajnë por nuk ia kanë dalë dhe nuk do ia dalin sepse LSI nuk është parti emrash, është parti zemrash”, theksoi ai.
Sjellim në vëmendje që së fundmi ka pasur aludime për një përplasje në radhët e LSI-së, ku ishte i përfshirë edhe Luan Rama.
Kryeministri: Meta pushkatoi politikisht Luan Ramën
Kryeministri u shpreh gjatë një interviste televizive se Ilir Meta e ka pushkatuar politikisht kandidatin për deputet. “Metën President e kanë zgjedhur votat e tij dhe të PS patjetër. Nëse PS do t’i kishte votat nuk do të zgjidhte atë President. Ishte zgjedhja më e mirë për opozitën, por unë nuk e dija që do vinte puna deri në këtë pikë, që me prapa veprim dhe me prapamendim pushkaton Luan Ramën në Vlorë. Iku Luan Rama, u pushkatua. Luan Rama u pushkatua politikisht me pushkë druri u ekzekutua”, tha Rama.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



