E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Lufta në Mamurras/ Si vëllezërit Fufi i zunë pritë policëve pas kontrollit në lokal!
Publik News

Lufta në Mamurras/ Si vëllezërit Fufi i zunë pritë policëve pas kontrollit në lokal!

Katër persona janë vënë në prangat e Policisë për përplasjen me armë në qytetin e Mamurrasit, ku pas një konflikti mes disa personave me efektiveve të Policisë, mbeten të plagosur 3 vetë.

Të arrestuarit janë, punonjësi i policisë, D.M, 45 vjeç, si dhe shtetasit Gjon Fufi, 40 vjeç, Nikoll Fufi (Vorfi), 36 vjeç e Rudolf Fufi, 31 vjeç, që të tre banues në Mamurras të Kurbinit, të afërm të ish-deputetit Mhill Fufi. Sipas Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme, këta tre shtetas kanë goditur me sende të forta, punonjësin e Policisë D.M, i cili në kushtet e vetëmbrojtjes ka nxjerrë armën e shërbimit dhe pasi i ka paralajmëruar ata, ka përdorur armën. Në fillim duke gjuajtur në ajër dhe pastaj nga goditja me sende të forta e shtetasve, ka kryer qitje të pakontrolluar duke plagosur shtetasin Nikoll Vorfi (Fufi) dhe dy kolegët e tij, punonjësit e Policisë Ilir Zeka dhe Flamur Lleja.

PERPLASJA

Ngjarja ka ndodhur pasi punonjësit e Policisë të Stacionit të Policisë Mamurras, në orët e paradites të së martës, kanë kryer kontroll në ambientet e një lokali në pronësi të shtetasit L.F., për aktivitet të paligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Gjatë ushtrimit të detyrës punonjësit e Policisë kanë hasur në kundërshtimin e shtetasit Nikoll Fufi (Vorfi), i afërm i pronarit të lokalit, i cili është shoqëruar në ambientet e Stacionit të Policisë Mamurras dhe pas sqarimit të situatës ky person është lënë i lirë. Por rreth orës 13:50, kur punonjësit e Policisë që kanë kryer kontrollin në lokal kishin ndërruar turnet e shërbimit, dy vëllezërit i kanë dalë përpara atyre me qëllim goditjen me mjete të forta. Ndodhur para këtij fakti, punonjësi i Policisë, David Medani, ka qëlluar me armë duke plagosur personin që ishte shoqëruar më herët në Polici dhe dy kolegët e vet.

ARRESTIMI

Përveç punonjësit të Policisë, në lidhje me ngjarjen u arrestuan edhe 3 personat që u përleshën me të dhe kolegët e tij. Ata akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Kanosje për shkak të detyrës” kryer në bashkëpunim. Ndërsa për punonjësin e Policisë që qëlloi me armë zjarri është ngritur akuza “Plagosje e rëndë në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” dhe “Plagosje e rëndë nga pakujdesia”. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 3 gëzhoja nga arma e zjarrit në posedim të punonjësit të policisë David Medani si dhe automjeti tip “Porsche Cayen”, me të cilin udhëtonin autorët. Konflikti mes tre personave dhe efektiveve të Policisë ndodhi në qendër të qytetit të Mamurrasit, sapo policët e patrullës kishin lënë turnin dhe po shkonin për në shtëpitë e tyre. Në momentin e ngjarjes zona ka qenë mjaft e populluar, por fatmirësisht nuk pati persona të tjerë të lënduar. Ndërkohë nga të shtënat me armë zjarri u dëmtua dhe një automjet tip “Benz” që ishte i përkuar në anë të rrugës dhe u prek nga plumbat në pjesën e përparme.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.