E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Luftë për fronin e Bashkisë së Tiranës!
Flash

Luftë për fronin e Bashkisë së Tiranës!

Manastirliu hakmerret ndaj motrës së Anuela Ristanit

Nga redaksia Publik.al

Tiranë, 16 Korrik 2025

Pas arrestimit dhe burgosjes së Erion Veliajt, Bashkia e Tiranës është kthyer në arenën e një lufte të ashpër brenda vetë radhëve të Partisë Socialiste. Me largimin e beftë të Veliajt, boshllëku i krijuar ka ndezur një betejë të brendshme për pushtet, ku çdo figurë me influencë brenda mazhorancës po përpiqet të marrë kontrollin e bashkisë më të madhe të vendit.

Anuela Ristani, në shënjestër të “hienave” brenda PS-së

Kryeministri Edi Rama i dha besimin zëvendëskryetares Anuela Ristani për drejtimin e përkohshëm të Bashkisë së Tiranës, por kjo nuk e ka blinduar aspak pozitën e saj. E sapongjitur në detyrë, Ristani është vënë menjëherë në qendër të një vale sulmesh, jo nga opozita e dërrmuar nga zgjedhjet parlamentare, por nga brenda vetë klaneve të mazhorancës.

Fillimisht, u godit në mënyrë indirekte përmes bashkëshortit të saj që punon në Presidencë. Më pas, një seri sulmesh publike dhe “spine” politike nisën ndaj mënyrës se si ajo po menaxhon bashkinë në një situatë krizash dhe pasigurie. Sulmet janë të organizuara dhe të qëllimshme – një përpjekje për ta izoluar dhe për ta dobësuar politikisht.

Ogerta Manastirliu, kandidate për të marrë frenat e bashkisë?

Në këtë klimë tensioni, në skenë del një emër i njohur: Ogerta Manastirliu, aktualisht ministre e Arsimit dhe një nga drejtueset politike të PS-së në Tiranë gjatë zgjedhjeve të fundit. E njohur për karrierën e saj të hershme në Bashkinë e Tiranës gjatë kohës së Ramës kryetar, Manastirliu po konsiderohet gjithnjë e më shumë si kandidate potenciale për të marrë drejtimin e bashkisë.

Lëvizjet e saj të fundit i kanë dhënë shkas këtij dyshimi: sipas burimeve nga Universiteti Politeknik i Tiranës, ministrja ka firmosur një urdhër për shkarkimin e zonjës Adriana Ristani – motra e Anuela Ristanit – nga posti i Kryetares së Bordit të Administrimit në këtë institucion. Adriana Ristani, me një karrierë të gjatë në arsim, u emërua në këtë detyrë në vitin 2021 dhe nuk kishte pasur asnjë problem në menaxhim. Sidoqoftë, shkarkimi i saj nuk ka pasur asnjë motiv zyrtar përveç… lidhjes familjare me kryetaren në detyrë të Bashkisë së Tiranës.

Hakmarrje politike apo mesazh i koduar?

Momenti i këtij vendimi është tejet domethënës: në prag të fillimit të përgatitjeve për vitin e ri akademik dhe në kulmin e tensioneve për pushtetin në Bashkinë e Tiranës, shkarkimi i motrës së Anuela Ristanit shihet si një goditje e ulët dhe një sinjal i qartë se Manastirliu po e trajton luftën për bashkinë si personale.

Takimet e fundit të kryeministrit Rama me drejtorët e bashkisë janë interpretuar nga shumë si përpjekje për të testuar terrenin dhe për të ndarë “copët e tortës” që la pas Veliaj. Brenda Partisë Socialiste, etja për poste, kontroll dhe influencë ka arritur në pikën që betejat zhvillohen jo më vetëm me goditje politike, por edhe me eliminime personale.

Një goditje “poshtë brezit” dhe një paralajmërim për të tjerët

Në këtë klimë pasigurie dhe luftërash klanore, ajo që ndodhi me Adriana Ristanin është më shumë se një shkarkim – është një paralajmërim për këdo që ndodhet në orbitën e “kundërshtarëve të padukshëm”. Hakmarrja ndaj familjarëve nuk është vetëm e pamoralshme, por sinjalizon degradimin e garës politike në nivele të ulëta, ku e vetmja gjë që vlen është eliminimi i rivalëve me çdo kusht.

Lufta për Bashkinë e Tiranës sapo ka filluar. Në mungesë të Veliajt, “gjuetia për fronin” po shfaq fytyrën e vërtetë të politikës së brendshme në PS: pa rregulla, pa kode, pa mëshirë. Dhe Anuela Ristani është vetëm fillimi.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.