Luiza Gega rrëmben në Serbi, tri medalje të arta
Luiza Gega çdo ditë e më shumë po krijon bindjen se është atletja më e mirë në historinë e Shqipërisë. Pas shkëlqimit në Kampionatin Evropian Ekipor, Luiza ka vendosur një tjetër rekord, këtë herë në Kampionatin Ballkanik, duke u bërë atletja e parë që merr tri medalje të arta në një turne të tillë.
Asnjë atlete tjetër në këtë cep të Europës nuk ia kishte dalë, teksa treshen e të artave Gega e plotësoi ditën e djeshme me garën e 5000 metrave, në të cilën po përpiqet të bëjë sa më mirë, pasi ka synime madhore në të ardhmen. Ylli i atletikës shqiptare, por edhe asaj evropiane tashmë, e mbylli 5000 metërshin në kohën 16 minuta 17 sekonda e 93 të qindtat, duke i lënë shumë mbrapa rivalët.
Të shtunën Gega u shpall kampione edhe në garën e 3000 metrave me pengesa, ku edhe siguroi kualifikimin me normë në Lojërat Olimpike të vitit të ardhshëm. Ajo arriti kohën 9 minuta, 21 sekonda e 53 të qindtat, teksa norma olimpike është 9 minuta e 23 sekonda. Luiza është ndër sportistet e pakta shqiptare, që shkon me normë në olimpiadë.
Luiza nuk kurseu rivalet as në garën e 3000 metrave në pasditen e së shtunës. Ajo e ndali kronometrin në 9 minuta, 21 sekonda e 48 të qindtat, teksa ky turne i zhvilluar në Novi Pazar të Serbisë mund të themi se është vetëm një nxehje për objektivin e madh sezonal, që është Kampionati Botëror, ku një medalje do të ishte arritje e madhe për sportisten tonë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



