Lulzim Basha do të publikojë sot emrat e 5004 delegatëve të Kuvendit të PD
Kreu Partisë Demokratike Lulzim Basha pritet të bëjë sot publike emrat e 5004 delegatëve që ishin dje pjesë e Kuvendit Kombëtar të PD-së.
“Nesër para çdo shqiptari do të hidhet poshtë çdo trillim, duke bërë transparent emrat e 5004 delegatëve që ishin të pranishëm”, pohoi mbrëmë kreu i PD-së, Basha.
Deklarata e kryedemokratit u bë pas aludimeve të bëra në media nga mbështetës së Sali Berishës se shifrat janë të pavërteta, pasi Pallati i Kongreseve ka vetëm 2100 ulëse. Megjithatë duhet theksuar se shumë demokratë ndodheshin dje në zonën e hollit të Pallatit të Kongreseve.
Kujtojmë që shifrat u komunikuan dje nga Kryetari i Komisionit të Kuvendit Kombëtar të PD, Jemin Gjana. “Si kryetar i këtij komisioni i kërkoj strukturës së PD që nesër pasi të jenë hedhur në sistem 5004 emrat që kanë nënshkruar pjesëmarrjen në Kuvend të bëhen publike“, do të shprehej Gjana.
Të pranishmit e Kuvendit të mbajtur më 18 dhjetor votuan përmes katonëve duke miratuar një rezolutë e cila nuk njeh mbledhjen e Kuvendit Kombëtar nga Sali Berisha në 11 dhjetor.
Gjithashtu u votua edhe një akt tjetër, i cili lë jashtë forumeve të partisë personat e lidhur me komunizmin dhe ata të shpallur non grata nga SHBA. Kësisoj Sali Berisha përjashtohet automatikisht nga Këshilli dhe Kuvendi Kombëtar Demokrat, forume ku ai ishte anëtar për shkak të detyrës si ish-kryeministër.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



