E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Makina ‘fluturoi’ në lokal, mësuesja i mori mjetin kolegut
Lajme

Makina ‘fluturoi’ në lokal, mësuesja i mori mjetin kolegut

Një qytetar nga Lezha po konsumonte kafen e mëngjesit në një nga lokalet në zonë, pa i shkuar nëpër mend se mund të goditej nga një automjet.

Aksidenti i pazakontë u regjistrua rreth orës 9:00 të së enjtes në rrugën e vjetër nacionale Lezhë-Milot, pranë fshatit Tresh, kur një automjet doli jashtë rruge dhe përfundoi në ambientet e lokalit.

Automjeti “Volksvagen” që drejtohej nga një mësuese, humbi kontrollin dhe përfundoi në ambientet e një lokali në anë të rrugës. Nga aksidenti mbeti i plagosur një person me iniciale N.N. 60 vjeç, i cili ishte klient në lokal dhe u dërgua me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës, nga ku mësohet se pasi mori ndihmën e parë mjekësore ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësuesja, e cila sapo ishte pajisur me leje drejtimi, i kishte marrë automjetin një kolegut të saj dhe sapo ka dalë në rrugë, ka humbur kontrollin e makinës, në të cilën udhëtonin dhe persona të tjerë si pasagjerë. Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti. Drejtuesja e automjetit u shoqërua në polici, ku dha sqarimet e saj rreth ngjarjes dhe më pas u la e lirë.

Ky është aksidenti i tretë që ndodh në harkun kohor të katër ditëve në rrugët e Qarkut të Lezhës me një bilanc me 7 persona të plagosur. Ndërsa dhe përgjatë muajit maj pati bilanc tragjik nga aksidentet, me 4 viktima dhe rreth 30 persona të plagosur, teksa shkaku kryesor i këtyre ngjarjeve rrugore mbetet shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor nga drejtuesit e automjeteve si dhe rrugët pa standarde në Qarkun e Lezhës, të cilat po marrin jetë njerëzish. Akset më problematike mbeten Lezhë-Shkodër, Lezhë-Mamurras, si dhe rruga e kombit segmenti MilotRrëshen i cili vitet e fundit është kthyer në një aks mjaft të rrezikshëm për sa i përket aksidenteve rrugore.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.