Makina“fluturon” 30 metra në ajër në Lushnje, përfundon në oborrin e një banese
Një tjetër aksident rrugor është regjistruar ditën e sotme në aksin Lushnje–Çermë, pranë fshatit Dushk. Një automjet tip fuoristradë ka dalë nga rruga duke përshkruar disa dhjetëra metra jashtë traseve të autostradës, për të përfunduar më pas në tokat përreth dhe në oborrin e një banese.
Në momentin e aksidentit, në mjet ndodheshin dy bashkëshortë, të cilët u transportuan me urgjencë drejt Spitalit të Lushnjes. Sipas burimeve spitalore, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Policia Rrugore ka mbërritur në vendngjarje për të kryer hetimet paraprake dhe për të sqaruar shkaqet e aksidentit. Sipas informacioneve të para, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin mbi automjetin, i cili pas rrëshqitjes ka përshkruar rreth 20-30 metra në ajër dhe ka përfunduar në oborrin e një shtëpie. Fatmirësisht, në momentin e ngjarjes nuk kishte persona në oborr, çka shmangu pasoja më të rënda.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar me saktësi rrethanat e aksidentit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



