Manovrat në drejtësi, ja si arriti Hajri të justifikojë pasurinë me vlerë miliona euro
Është data 3 shkurt e vitit 2020. Jemi në fshatin Pjezëz të Shijakut. Pamjet e forcave speciale të japin përshtypjen e një mobilizimi për neutralizimin e personave me rrezikshmëri. Në të vërtetë, në godinën e rrethuar nuk ndodhet askush. Por, po jepej një mesazh force nga shteti pas imazheve tronditëse të torturimit të shtetasit Jan Prenga në mjediset e këtij resorti. Pronari Altin Hajri, ishte ndër të dyshuarit për rrëmbimin dhe zhdukjen e Prengës, trupi i të cilit nuk është gjetur sot e kësaj dite. Policia vendosi ta nisë pikërisht nga aty aksionin “Forca e Ligjit”, një aksion që synon sekuestrimin e pasurive të krimit të organizuar.
“Sekuestrimi i këtij objekti dhe i të gjitha pronave të shtetasit Altin Hajri bëhet në bazë të elementit të urgjencës të parashikuar në ligjin special. Me vendosjen e kësaj mase sekuestroje, objekti kalon në administrim të Agjencisë së Administrimit të Aseteve, e cila në bazë të Ligjit Special është vendosur nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.
Ky është urdhri i drejtorit të Policisë Kriminale për sekuestrimin e resortit dhe karburantit në pronësi të Hajrit, bazuar në aktin normativ të operacionit Forca e Ligjit. Kërkesa u pranua në masën paraprake të dhënë nga gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar. Më pas, gjithçka rezultoi një blof. Gjatë shqyrtimit gjyqësor në shkallën e parë, resorti iu rikthye pronarit.
Gjykata e Apelit vendosi pushimin e çështjes, çka i ktheu përfundimisht kompleksin Altin Hajrit. Por, si arriti të justifikojë Hajri pasurinë me vlerë miliona euro? Ai paraqiti disa dokumente noteriale ku tregonte akumulimin e vlerave monetare nga shitja e tokave të familjes të përfituara nga ligji 7501. Gjykata pajtoi kontabilisten Shpresa Breçani si eksperte të jashtme për analizimin e raportit të ardhura-shpenzime. Breçani, njihet si ish-kontabiliste e biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç në aferën e Porto-Romanos. Në analizën e saj Breçani arrin në konkluzionin se raporti i të ardhurave dhe shpenzimeve të Altin hajrit është plus 18 milionë lekë të reja dhe ai i justifikon burimet e financimit të kompleksit. Megjithatë, bie në sy fakti se vlera e pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme të resortit
“Golden” vlerësohen 46 milionë lekë të reja. Pra, me këtë shumë në dukje modeste është vlerësuar ky investim gjigant që shihni i përbërë nga 3 godina luksi, pishina dhe lulishte…
“Këta mundohen sa më shumë të jetë e mundur, le të themi përmes manovrave të ndryshme pse jo përmes ndikimit në instancat e strukturave kundër pastrimit parave që të sigurojnë sa më shumë para të pastër në letra, me këto para të pastra shkojnë te gjykata ku ndodh pejsa tjetër e korrupsionit” u shpreh Pano Soko, Ekspert Ekonomie
“Të certifikohet të themi kriminaliteti tyre apo përfshirja në aktivitete të paligjshme, të certifikohet prodhimi i të ardhurave në këto aktivitete se kemi pas raste të perosonave që kanë bërë vrasje apo plagosje që jo detyrimisht hyjnë në ato vepra penale të prodhimit të të mirave materiale” u shpreh profesori i drejtësisë, Alban Koçi
Pas këtij aksioni të nxituar, pa përmbyllur një dosje të kopsitur me fakte, pronat e Hajrit konsiderohen të pastra përfundimisht duke kaluar një proces në sistemin e drejtësisë.
“Kjo është një lloj legalizimi të themi dhe ndërtime pa leje, i veprimit juridik. Pra nëse nuk provojmë fajësinë e personit, përfshirjen në aktivitet kriminal ku prodhohen të ardhura të konsiderueshme, për justifikimin e këtyre aseteve në një farë mënyrë krijojmë përshtypje e një padrejtësie që i bëhet subjektit dhe japin një lloj verdikti që me të drejtë sic e përmendët ju mund të konsiderohet gjë e gjykuar”u shpreh profesori i drejtësisë, Alban Koçi.
Kompleksi “Golden” nën sekuestro por Hajri vijonte aktivitetin normalisht
Referuar të dhënave nga QKB, kompleksi administrohej nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara deri më 1 Tetor të vitit 2021, kur vendimi mori formën e prerë. Në fakt, Hajri ka vijuar aktivitetin e dasmave qetësisht edhe kur resorti ishte nën sekuestro dhe ceremonitë ishin të ndaluara bazuar në masat anti-covid. Këto video që kanë mbërritur në redaksinë e Top Story, i përkasin një ceremonie dasme të datës 5 shtator 2021 pikërisht në një prej sallave të resortit. Ky nuk është rasti i vetëm. Pra, një aset i sekuestruar, vijonte të prodhonte fitime për subjektin e hetuar kur prona ishte në administrim nga shteti.
Këto pamje, janë në kontrast të fortë me atë që prezantoi policia në aksionin e 3 shkurtit të vitit 2020 kur OFL nxitoi për një mesazh force.
“Numri aseteve të konfiskuara mbetet tejet i ulët, është disa herë i atyre të sekuestruara, them që rezultati ka të bëjë me eficencën apo transparencën e sismteit gjyqësor” u shpreh Juliana Hoxha, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
“Shpesh herë kërkesat e prokurorisë për sekuestrim janë rrëzuar nga sistemi gjyqësor për shkak se kanë qenë të paplota apo nuk kanë pasur cilësinë e duhur” u shpreh Erinda Skëndja, Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Aksioni që u pa te kompleksi Golden është vetëm pjesa e dukshme e asaj që kërkohet të përcillet te publiku. Pasi mbaron shfaqja e forcës, barra i mbetet administratorit shtetëror të caktuar nga Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Ai nuk ka më mbështetjen e skuadrës speciale në terren, por përballet i vetëm me pronarë me rrezikshmëri të lartë.
“Unë nuk di të kem pasur problem konfiktual ndoshta janë adminsitratorët që smë kanë thënë gjë” u shpreh Qirjako Theodhori, Kryeadministrator AAPSK
Sot që flasim janë mbi 350 pasuri të patundshme dhe biznese që administrohen nga nëpunësit e Agjencisë. Gjatë procesit që shpesh zgjat me vite, janë dy momentet proceduriale: sekuestroja që është masë paraprake dhe konfiskimi që i kalon pronësinë e asetit shtetit.
“Të dyja konceptet janë proceduriale si konfiskim edhe sekuestrim, por kemi dhe konceptimn e ngrirjes,janë të treja masa parandaluerse që shërbejnë në fazën hetimore dhe procesuale që shërbejnë për mbledhje provash, dhe për pengimin e subjektit në fshehjen e pasurisë, tjetërsimin” u shpreh profesori i drejtësisë, Alban Koçi
“Në fund qëllimi i AAPSK është administrimi pasurive që mos ja lërë botës krimit ti administrojë. Eficenca e punës AAPSK që paratë të shkojnë në destinacion përkatës, njësoj jemi të shkojnë në buxhet paratë, ose ti shkojnë personit nëse shpallet i pafajshëm” u shpreh Qirjako Theodhori, Kryeadministrator AAPSK
Aksioni te kompleksi Golden, pasoi një sërë ndërhyrjesh të tjera në biznese, vila apo prona të ndryshme të personazheve të botës së krimit. Policia e Shtetit bën me dije për Top Story se gjatë aksionit të OFL-së, janë marrë 141 vendime sekuestroje për 916 pasuri në total. Në fakt, Agjencia shtetërore ka marrë në administrim vetëm 1/3 e tyre dhe pjesa tjetër vijojnë të jenë në duart e krimit.
“Janë marë 310 prona gjatë kësaj periudhe nga OFL kanë qenë të tëra, janë marë shumë prona nga OFL.Të revokuara për 2021 janë 12 dhe nuk e di sa ekzakt janë të OFL sa të tjera. Vetura, në përgjithësi janë thjesht mjete” u shpreh Qirjako Theodhori, Kryeadministrator AAPSK
“Në zbatim të aktit normative shohim numër të madh kërkesah të pranuara, pra mbi 95 % janë pranuar por nuk dihet cfarë ndodh më tej me fatin e këtyre pronave ndaj individët dhe përfaqësues të shqoërisë civile kanë shumë pak informacion” u shpreh Erinda Skëndaj, Komiteti Shqiptar i Helsinkit
“Ka shumë pasuri të pa marra në administrim pse, se vetë akti normative në 31.I. 2020 solli volum të jashtëzakonshëm pasurish nga OPGJ është e vështirë” u shpreh Qirjako Theodhori, Kryeadministrator AAPSK
“Pavarësisht vendimeve të sekuestrimit që mund bëhet karshi një prone të caktuar, zakonisht të tilla vendime me vendosjen e adminsitratorëve shtetërorë janë thjesht fasadë, nuk është se janë të vërteta. Në të vërtetë adminsitratori i mëparshëm, krimineli i supozuar, vijon të adminsitroj pasurinë e vetë, dhe ky është problem më i madh që kemi sot” u shpreh Pano Soko, Ekspert Ekonomie
Problematikat e konstatuara nga operacioni OFL reflektohen edhe tek rezultatet përfundimtare. Gjatë vitit 2020 edhe pse janë marrë 153 vendime sekuestroje, nuk ka asnjë vendim konfiskimi përfundimtar.
“Këtu të gjitha pasuritë e sekuestruara ose kanë pasur një fund duke u rikthyer te ish pronari kriminel, ose janë humbur pjesa më e mdhe nëpër procedura, i kanë ulur vlerën këtyre psurive. Më lejoni të them që sa i përket pjesëve të tilla si makina” u shpreh Pano Soko, Ekspert Ekonomie
Tani, do të fokusohemi konkretisht në disa prej emrave më të njohur të botës së krimit për të parë se cfarë ka ndodhur me pasuritë që u janë sekuestruar dhe kush i menaxhon në të vërtetë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



