Marina franceze vendos rekord në luftën kundër drogës! 9.6 tonë kokainë në Afrikën Perëndimore
Një ngarkesë masive kokainë është kapur në brigjet e Afrikës Perëndimore nga Marina franceze, duke vendosur një rekord të ri për operacionet e këtij viti. Autoritetet njoftuan mëngjesin e sotëm (25 shtator) se 9.6 tonë kokainë, me vlerë tregu prej më shumë se 500 milionë eurosh, u sekuestruan nga një anije peshkimi që nuk mbante flamurin e asnjë vendi.
Operacioni u krye nga dy anije të Marinës Franceze, në bashkëpunim me shërbimet antidrogë, inteligjencën detare dhe policinë britanike, në kuadër të misionit “Corymbe”, i krijuar në vitin 1990 për të mbrojtur sigurinë detare në Gjirin e Guinesë, një zonë e njohur për aktivitetet e piraterisë.
Derisa ende nuk janë dhënë detaje mbi fatin e ekuipazhit të anijes, pritet që droga të shkatërrohet, ndërsa anija të vazhdojë lundrimin e saj.
Ky operacion është arritja më e madhe e Marinës Franceze për vitin 2025. Deri në gusht, forcat detare kishin sekuestruar rreth 6 tonë kokainë në të njëjtin rajon. Admirali Nicolas Bozour, kreu i Marinës Franceze, tha se viti 2025 është tashmë një vit rekord, me mbi 45 tonë drogë të zbuluara dhe të sekuestruara nga forcat detare franceze.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



