MARRÇI NGA DITËT E NJËRI-TJETRIT!
Ata të tre kanë filluar të “marrin nga ditët tona” që tani!
Zgjedhjet e përgjithshme duan edhe dyqind ditë që të mbahen, ata të tre lehin dhe sillen sikur ato do të ndodhin këtë të diel!
Në vend që ta shpenzojnë kohën duke bërë atë që përmban përshkrimi i tyre i punës, ata të tre kanë lënë gjithçka dhe janë hedhur kokekëmbë në fushatë elektorale.
Në këtë pikë ku kemi mbërritur, fushatat e tyre të pështira prodhojnë veç turpe, sepse ata të tre i kanë bërë të tëra dhe i kanë thënë të tëra nga disa herë, në prag të çdo zgjedhoreje!
Lehjet e tyre nuk na ndahen që nga mëngjesi deri në mbrëmje; në gazeta, në televizion, në radio, në facebook, në instagram, në tëitter… edhe në ëndrra po na dalin!
Ata të tre kanë filluar “të kafshojnë egër” njëri-tjetrin, a thua nuk “kanë ngrënë ndonjëherë në një çanak”, a thua nuk “kanë pjerdhur ndonjëherë në të njejtën poçe”?!
Ata të tre janë kaq të përdorur, kaq të konsumuar, kaq të zbërdhylur, sa po luajnë kartën e dëshpëruar të të bërit politikë: kartën e viktimizimit!
Ata të tre e dinë që askush nuk apasionohet më pas asaj që ata përfaqësojnë, sepse ata nuk përfaqësojnë më asgjë, përveç urisë së tyre të panginjshme për pushtet, për para dhe për lavdi personale! Të paktën edhe ata të tre e kanë kuptuar se edhe më injoranti në këtë vend e di këtë, prandaj ata të tre po luajnë kartën e fundit që mund t’u përmbushë egoizmin dhe ambiciet e tyre të sëmura: kartën e keqardhjes!
Ata të tre duan që të fitojnë zemrat e elektoratit me mekanizmin që telenovelat turke bëjnë për vete ndjekësit e tyre! Ata të tre sulmojnë njëri-tjetrin me pretekstin se po mbrohen dhe mezi presin një goditje “të rëndë” publike, që të tregojnë “gjakun”, të kuisin nga dhimbja dhe të fitojnë empatinë e mendjelehtëve!
Ata të tre duan të na bëjmë të besojmë se nëse ata humbasin, do të humbasim edhe ne me ta, por tashmë e di çdokush që me secilin nga ata të tre ne të humbur jemi gjithsesi!
A nuk kemi tridhjetë vite që humbim prej tyre dhe baballarëve të tyre politikë?!
Ata të tre sillen sikur nëse humbasin zgjedhjet, për ta do të vijë Fundi i Botës!
A ka njeri që nuk e di se çfarë do të ndodhë me secilin prej tyre nëse humbet zgjedhjet? Secili nga ata të tre, në rast se humbet, do të kthehet “i dëshpëruar” në njërën nga vilat e veta dhe do të konsumojë “dhjamin” e akumuluar nga pushteti, në pritje të rasit më të parë për ta rimarrë atë!
E megjithatë ata kanë një policë sigurimi të përjetshme! Fati ynë i keq është që kemi vetëm ata të tre! Do donim të kishim tre të tjerë, por vetëm këta kemi! Sido që ta përdredhim, dy nga të tre do t’i kemi mbi kokë e tjetrin nën bisht!
Kësaj nuk i shpëtojmë dot!
Do t’i kemi aty derisa të vendosin vetë të largohen nga karrikja (?!) ose i plotfuqishmi të vendosë t’i largojë nga jeta! E para nuk ka gjasa të ndodhë sa të jenë gjallë, e dyta, vonon sepse falë Zotit janë të rinj dhe të shëndetshëm!
M’atëbotë, për diktatorin bëhej urimi makabër “marrsh nga ditët tona”!
Ju të tre këtë po e bëni me ditët tona, pa ua kërkuar askush!
Ju të tre po na zaptoni ditët me zullumet tuaja që nga mëngjesi deri në mëngjesin tjetër!
A nuk pir#heni për ca kohë që të tre, deri nja dy javë para zgjedhjeve, me shpresën që pas tyre, të paktën njëri prej jush të pir#het përfundimisht?!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



