E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Mashtrimi “Klea Rama” dhe heshtja e institucioneve
Lajme

Mashtrimi “Klea Rama” dhe heshtja e institucioneve

Identiteti fals që hapi dyert e ministrive

Një projekt që u prezantua si mundësi unike për maturantët shqiptarë për t’u informuar dhe përfituar bursa studimi në universitetet amerikane, i shtrirë në dhjetëra gjimnaze në të gjithë vendin dhe i mbështetur institucionalisht nga Ministria e Arsimit, ka rezultuar të jetë një mashtrim i ndërtuar mbi identitet të rremë.

Programi u zbatua gjatë një viti shkollor në 68 shkolla të mesme, ku u angazhuan qindra nxënës dhe dhjetëra mësues, shpesh jashtë orarit zyrtar dhe pa pagesë. Në fund, i gjithë projekti u shemb, pasi doli se personazhi “Klea Rama”, që shfaqej si përfaqësuese dhe garante e nismës, nuk ekzistonte.

Hetimet zbuluan se fotografitë e përdorura për të ndërtuar profilin e “Kleas” i përkisnin këngëtares amerikane Gracie Abrams. Autori i skemës, Ermes Hoxhalli, u dënua për falsifikim kompjuterik dhe dokumentesh, përfshirë edhe riprodhimin e firmës së një punonjëseje të Ambasadës Amerikane. Megjithatë, pavarësisht përmasave të mashtrimit, Ministria e Arsimit nuk u përfshi në përgjegjësi ligjore dhe rasti kaloi pothuajse në heshtje publike.

Para organit të akuzës, zyrtarë të ministrisë kanë dhënë dëshmi që hedhin dritë mbi mënyrën se si projekti u lejua të ecë përpara, pavarësisht mungesës së dokumentacionit zyrtar. Verifikimet tregojnë se kërkesa për projekt nuk ishte as e protokolluar dhe as e paraqitur në rrugë formale.

Ish-zëvendësministrja e Arsimit, Nina Guga, ka deklaruar se komunikimi fillestar me “Klea Ramën” nuk ka ardhur përmes kanaleve institucionale, por përmes mesazheve SMS nga një numër i huaj. Ajo ka pohuar se gjatë këtij komunikimi i ishte dërguar një foto e “Kleas” pranë kryeministrit, çka duket se ka shërbyer si element bindës për seriozitetin e nismës.

Ndërkohë, drejtori i Programeve dhe Politikave Arsimore në Ministri, Shkëlqim Allkaj, i cili ishte deleguar për ndjekjen e projektit, ka deklaruar se kërkesa për trajtim prioritar ka ardhur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë, Erzen Tola. Allkaj ka qenë gjithashtu një nga zyrtarët e parë që ka ngritur dyshime për lidhjen mes “Kleas” dhe Ermes Hoxhallit.

Ai ka treguar se nga një bisedë informale me drejtoreshën e ZVA Lezhë, kishte mësuar se kjo e fundit kishte komunikuar në WhatsApp me “Klea Ramën”, e cila i kishte kërkuar ndërhyrje pranë Bashkisë Lezhë për një projekt tjetër të Ermesit, të lidhur me teatrin. Sipas Allkajt, vetë Ermesi kishte komunikuar me disa drejtues të lartë të ministrisë dhe me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm ishte pritur edhe në zyrë.

Nga hetimi rezulton se Ermesi kishte ndërtuar dy linja paralele komunikimi me Ministrinë e Arsimit: një përmes identitetit të rremë “Klea Rama”, dhe një tjetër në emrin e tij personal. Kërkesa e dytë për miratim ishte dërguar elektronikisht vetëm një javë pas emailit të famshëm “Let’s talk together about United States”, në shtator të vitit 2023.

Dëshmitë e mbledhura nga zyrtarë të ministrisë, drejtues shkollash dhe zyra vendore arsimore tregojnë se personazhi fiktiv “Klea” përdorej si mjet presioni për të hapur dyer institucionale që, sipas vetë Ermesit, pa këtë ndërmjetësim do të mbeteshin të mbyllura.

Ndërsa në Ministrinë e Arsimit projekti i tij arriti vetëm fazën e parë, atë të “Konkursit Kombëtar Teatror Rinor”, panorama ndryshon në një tjetër institucion. Në Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ermes Hoxhalli rezulton ndër fituesit e fondeve publike, mes rreth 600 aplikimesh në fushën e artit dhe kulturës.

Në moshën 20-vjeçare, ai ka përfituar një kontratë financimi në vlerën 400 mijë lekë të reja për organizimin e një festivali me nxënës të talentuar në aktrim.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.