Mashtrimi me të ardhurat nga koncerti i Kanye West
Irena Beqiraj: Pse deklarata për 100 milionë euro jo vetëm që nuk është shifër zyrtare, por është një turp për të gjithë qeverinë!
Ekonomistja dhe ish-zv.ministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka hedhur poshtë si të pabazuar deklaratën e kryeministrit Edi Rama se koncerti i Kanye West në Tiranë pritet të gjenerojë mbi 100 milionë euro të ardhura për ekonominë shqiptare.
Në një reagim publik, Beqiraj thekson se në dokumentacionin zyrtar që shoqëron aktin normativ nuk ekziston asnjë analizë ekonomike apo përllogaritje konkrete që të mbështesë këtë shifër. Sipas saj, nëse një vlerësim i tillë do të ishte kryer realisht, ai do të ishte pjesë e relacionit shoqërues, i detajuar me tregues të qartë mbi ndikimin ekonomik të eventit.
Ajo argumenton se pretendimi për 100 milionë euro nuk është rezultat i një analize profesionale, por një vlerësim i hedhur pa baza të matshme. Sipas Beqirajt, praktikat ndërkombëtare tregojnë se edhe koncertet më të mëdha globale, të zhvilluara në stadiume me kapacitete mbi 80 mijë spektatorë, nuk kanë arritur të gjenerojnë të ardhura të tilla në ekonominë vendase.
Ekonomistja kritikon gjithashtu mënyrën se si është trajtuar financimi i koncertit, duke theksuar se përdorimi i fondeve publike në këtë rast është bërë jashtë standardeve të zakonshme procedurale dhe pa transparencën e nevojshme. Ajo nënvizon se mungesa e garës dhe e një analize të mirëfilltë ekonomike ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e menaxhimit të financave publike.
Sipas Beqirajt, mungesa e një metodologjie të qartë për matjen e ndikimit ekonomik dhe përdorimi i shifrave të ekzagjeruara synojnë të justifikojnë vendime të diskutueshme. Ajo shton se qeverisja nuk mund të funksionojë mbi bazën e deklaratave optimiste, por duhet të mbështetet në analiza të mirëfillta, procedura ligjore dhe llogaridhënie.
Në përfundim, Beqiraj paralajmëron se përdorimi i fondeve publike pa standarde të qarta dhe pa transparencë rrezikon të dëmtojë interesin publik dhe të minojë besimin tek institucionet.
Analiza e Irena Beqiraj:
Kur nuk ka përllogaritje zyrtare për përfitimet e një koncerti le të luajmë kungulleshkash me Kryeministrin!
Kryeministri si gjithmonë kur jep para publike apo pronë shtetërore duke mos zbatuar proçedurat që i imponon ligji, na fton të luajmë kungulleshkash me miliona imgjainarë : pse aq po sa?
Ai thotë : ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura”!
Pra Kryeministri pretendon se ka përllogaritje por, një matje të tillë nuk paraqitet në relacionin e projektligjit të aktit normativ.
Nëse një llogaritje e ndikimit përfundimtar ekonomik do të ekzistonte ajo do të shpjegohej me shifra në relacionin e Aktit Normativ duke filluar me të dhenat e kapacitetit, përqindja e vizitorëve jashtë qytetit dhe multiplikatorin ekonomik.
Nëse kjo matje do të ekzistonte do të vendosej në relacionin e Aktin Normativ edhe si e tillë do të konsiderohej shifër zyrtare duke u bërë u automatikisht një target për t’u arritur.
Ndërsa relacioni nuk përmban asnjë përllogaritje apo vlerësim sasior, qoftë edhe një shifër të vetme të ndikimit në ekonomi të këtij eventi, i cili është financuar me para publike një proçedurë ekstra buxhetore , Kryeministi e deklaron atë në FB.
Si gjithmonë , matjet e ndikimit ekonomik të gjithë projekteve të financuara apo të mbështetura nga paratë edhe prona publike pa proçedurë pa garë, bazohen në qasjen e vjetëruar tanimë “në mos qofshin do ti sajojmë ” !
100 milionë euro jo vëtëm që nuk është shifër zyrtare por për turp të gjithë qeverisë është një hamendësim i dobët jo i edukuar, pra i bërë në mungesë të njohurive.
Them në mungesë të njohurive sepse ekonomiksi i koncerteve tregon se përfitimet nga koncertet më gjigante në stadiume me kapacitet më më madh se 80,000 persona, nuk i kanë kaluar 47 milionë dollarë.
Hamendësimet bombastike pa laps e letër të Kryeministrit tonë kanë vetëm një qëllim të mbulojnë sjelljen e përsëritur destruktive të kësaj qeverie me financat publike edhe pronën publike. Ai refuzon të pranojë se qeverisja është një mandat jo për të vepruar sipas dëshirës pa kufizime, por për të marrë e ekzekutuar vendime brenda proçedurave të miratuara, si e vetmja mënyrë e pazëvendësueshme për të garantuar përfitimin publik . Por Kryeministri Perandor i urren ligjet, proçedurat, rregulloret, kufizimet, trasparencën llogaridhënien që ato imponojnë.
Aq shumë e bezdisin sa në mënyrë aluçinante shkon deri aty sa për në nxjerrë 4.2 milionë euro nga buxheti në mungesë të ndjekjes së proçedurës normale e klasifikon një koncert emergjencë.
Ndërsa vërdallë tij në Kryeministri , në Qeveri , në Kuvend nuk ka mbetur më asnjë ti thotë jo, i gjori ai, është katandisur që argumenteve shteruese aspak emocionale u përgjigjet si ahengxhiu i dehur i dasmës!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



